Bashkia e Tiranës ka hapur një tender me fond limit 14,583,333 lekë pa TVSH, ose rreth 157 mijë euro, për krijimin e një sistemi informatik që do të menaxhojë regjistrimin, verifikimin dhe shpërndarjen e aboneve falas të transportit urban për pensionistët.
Sistemi i ri synon të centralizojë të gjithë procesin e aboneve, nga identifikimi dhe regjistrimi i pensionistëve deri te verifikimi i të dhënave, shpërndarja e abonesë dhe raportimi i saj. Sipas specifikimeve, Bashkia e Tiranës e ka nisur skemën e aboneve mujore falas për pensionistët dhe kërkon tashmë një sistem unik për menaxhimin e procesit, i cili aktualisht zhvillohet në bashkëpunim me operatorët e transportit urban.
Bashkia synon të shmangë përfitimin e dyfishtë. Sistemi duhet të verifikojë automatikisht pensionistin përmes Numrit Personal (NID), të mos lejojë regjistrime të dyfishta dhe të bllokojë mundësinë që i njëjti person të ketë më shumë se një abone aktive. Operatori i transportit do të mund të kontrollojë në sistem nëse aboneja e muajit përkatës është tërhequr dhe të konfirmojë elektronikisht dorëzimin e saj.
Tenderi përfshin gjithashtu furnizimin me deri në 20 pajisje të reja skanimi OCR/MRZ, të cilat do të përdoren nga njësitë administrative dhe operatorët e transportit për leximin e kartave të identitetit dhe pasaportave. Bashkia disponon ndërkohë 40 pajisje ekzistuese skanimi, me të cilat sistemi i ri duhet të jetë plotësisht i pajtueshëm. Sasia prej 20 pajisjesh të reja është përcaktuar si nevojë maksimale dhe ato do të lëvrohen vetëm kur të kërkohen nga Bashkia.
Sipas dokumenteve shoqëruese, platforma duhet të ruajë edhe historikun e veprimeve të përdoruesve, do të gjenerojë raporte ditore, javore, mujore dhe vjetore, si dhe të lejojë eksportimin e të dhënave në formate si Excel, CSV dhe PDF. Kërkohet gjithashtu që gjurmët e auditimit të jenë të pamodifikueshme dhe të dhënat personale të ruhen dhe përpunohen në mënyrë të sigurt.
Afati për paraqitjen e ofertave është 18 shtator 2026, ora 10:00./ekofin.al
