Makina e parë elektrike e prodhuesit italian të makinave luksoze, Ferrari, ka vendosur një rekord për një automjet të ri të shitur në ankand, vetëm disa muaj pasi prezantimi i saj shkaktoi reagime të forta.
Një Ferrari Luce i personalizuar, makina e parë plotësisht elektrike e prodhuesit italian, është shitur për 40 milionë dollarë (34,5 milionë euro) në një ankand bamirësie të organizuar nga RM Sotheby’s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shitja vendosi një rekord për çmimin më të lartë të paguar për një makinë të re në ankand, duke tejkaluar ndjeshëm vlerësimin paraprak të RM Sotheby’s, prej më shumë se 1,1 milionë dollarësh (950 mijë euro).
Ankandi u zhvillua pothuajse tre muaj pasi Ferrari prezantoi modelin e tij të parë tërësisht elektrik në maj. Me një çmim prej 550 mijë eurosh, makina shkaktoi reagime të ashpra, kryesisht për shkak të dizajnit të saj, i cili u krijua nga LoveFrom, kolektivi krijues i themeluar nga Sir Jony Ive dhe Marc Newson.
Modeli është i pajisur me katër motorë elektrikë, nga një për secilën rrotë, dhe ka një fuqi maksimale prej 1.050 kuajfuqish. Ai përshpejton nga 0 në 100 km/h për 2,5 sekonda dhe arrin një shpejtësi maksimale prej 310 km/h. Bateria prej 122 kWh ofron një autonomi të deklaruar prej më shumë se 530 kilometrash, sipas prodhuesit.
Aksionet e Ferrarit ranë ndjeshëm pas prezantimit të makinës, por më pas u rikuperuan, pasi kompania rriti parashikimin e saj financiar për të gjithë vitin muajin e kaluar, raportoi rezultate të forta dhe deklaroi se porositë për Luce po ecin në përputhje me pritshmëritë.
Kali i Shfrenuar, simboli i Ferrarit, duket se e ka rikthyer shkëlqimin: çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur me rreth 27% krahasuar me nivelin e mbylljes prej 284,05 eurosh në seancën e parë të tregtimit pas prezantimit të Luce më 25 maj.
Makina e shitur gjatë Javës së Makinave të Monterey-t në Kaliforni gjatë fundjavës u identifikua si “Shasia 0”, shasia e parë e prodhuar në kuadër të programit Luce. Ajo u personalizua posaçërisht për t’u shndërruar në një model unik për koleksionistët.
Një Ferrari Daytona SP3 i personalizuar u shit për 26 milionë dollarë në ankand në vitin 2025, duke vendosur rekordin e mëparshëm për çmimin më të lartë të paguar për një makinë të re në ankand.
Sipas shtëpisë së ankandeve, Ferrari do t’ia dhurojë të gjitha të ardhurat nga shitja Fondacionit Ferrari, për të mbështetur nismat e tij në fushën e arsimit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
