Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka shpallur tenderin për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemit të kanalizimeve në Dhërmi, me fond limit 1.13 miliardë lekë pa TVSH, ose 12.16 milionë euro. Investimi synon të krijojë një sistem të plotë për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura në një nga zonat turistike me zhvillimin më të shpejtë të bregdetit të Jugut.
Kontrata parashikohet të zbatohet brenda 34 muajve, ndërsa afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave është 22 shtator 2026, ora 12:00.
Projekti nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i impiantit. Sipas Raportit Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ai është pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm 2024–2026 dhe ka si objektiv përmirësimin e situatës së kanalizimeve dhe sanitetit në zonat turistike. Ndërhyrja do të përfshijë zgjerimin dhe rehabilitimin e sistemit ekzistues të kanalizimeve në fshatin e vjetër të Dhërmiut dhe në zonën turistike, si dhe mbledhjen, transferimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura përpara shkarkimit të tyre në det, larg bregut.
Raporti i VNM-së e lidh drejtpërdrejt investimin me problemin e ujërave të patrajtuara. Sipas dokumentit, funksionimi i sistemit të ri pritet të ndalë shkarkimin e ujërave të ndotura të patrajtuara në det, ndërsa lidhja e familjeve me kanalizimet qendrore dhe braktisja e gropave septike do të ulë ndotjen e ujërave nëntokësore që përfundon në det dhe do të përmirësojë cilësinë e ujit për larje në plazhe. Impianti është projektuar për dezinfektim me rreze UV dhe respektimin e kërkesave të Direktivës evropiane për ujërat e larjes; ujërat e trajtuara do të dërgohen në det përmes një tubacioni shkarkimi 540 metra të gjatë, ndërsa kapaciteti i plotë llogaritet në 24,000 banorë ekuivalentë.
Investimi vjen në një kohë kur Shqipëria vijon të ketë probleme me cilësinë e ujërave bregdetare. Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit për sezonin 2025, nga 119 zonat e monitoruara në Shqipëri, më pak se 70% u klasifikuan me cilësi “të shkëlqyer”, duke e renditur vendin mes pesë shteteve me performancën më të dobët në Europë, së bashku me Belgjikën, Hungarinë, Poloninë dhe Estoninë. /ekofin.al

