Evropa po vijon të përballet me një seri zjarresh shkatërruese, ndërsa kontinenti përjeton temperatura përvëluese dhe thatësirë gjithnjë e më të rëndë, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga banesat e tyre.
Në Francë, autoritetet thanë se të shtunën u evakuuan edhe 100 banorë dhe pushues nga zona përreth qytetit Luglon, në departamentin jugperëndimor Landes, ndërsa zjarri që shpërtheu të enjten vijonte të digjej.
Në një përditësim të shtunën në mëngjes, Prefektura e Landes tha se deri tani flakët kishin përfshirë rreth 1,580 hektarë dhe se zjarri ishte “veçanërisht aktiv” në juglindje të Luglonit, pranë fshatit Garein.
“Në total, 550 zjarrfikës janë aktualisht të angazhuar për të ndalur përhapjen e zjarrit. Mjetet ajrore do të rifillojnë operacionet”, thuhej në njoftim.
Në rajonin Eifel të Gjermanisë, një zjarr i madh ka çuar në evakuimin e të paktën 1,800 personave nga Hurtgenwald, ku rreth 1,400 zjarrfikës po luftojnë me flakët.
Zjarri besohet se është më i madhi pyjor në historinë e landit të Nordrhein-Westfalen.
Ndërkohë, përforcime të zjarrfikësve gjermanë janë thirrur për të ndihmuar kolegët belgë, të cilët po përballen me një tjetër zjarr në parkun natyror Fagnes, pranë kufirit mes dy vendeve.
Zjarri nisi të premten dhe deri tani ka djegur të paktën 16 kilometra katrorë pyje, sipas autoriteteve.
Rreth 1,000 persona janë evakuuar gjithashtu në rajonin verilindor Aragón të Spanjës, ku një zjarr që ka përfshirë më shumë se 15,000 hektarë vijon të jetë aktiv. Megjithatë, zjarrfikësit thonë se kanë ndalur përhapjen e tij drejt zonave të banuara, ndërsa parashikimet meteorologjike sugjerojnë se temperaturat mund të ulen së shpejti dhe se mund të ketë edhe reshje të lehta shiu.
Edhe Greqia ndodhet në alarm të lartë, pasi erërat e forta në disa pjesë të vendit kanë rritur rrezikun për shpërthimin e zjarreve.
Sipas shërbimit zjarrfikës, më shumë se 50 zjarre bujqësore dhe pyjore kanë shpërthyer gjatë 24 orëve të fundit, megjithëse shumica janë vënë nën kontroll.
Evropa Lindore
Në Kroaci, shërbimet e emergjencës po luftojnë me një zjarr në ishullin Dugi Otok, ku janë angazhuar më shumë se 100 zjarrfikës dhe dy avionë për hedhjen e ujit.
Ndërkohë, 240 zjarrfikës dhe tre avionë arritën të vendosnin nën kontroll të premten një tjetër zjarr në gadishullin Pelješac.
Autoritetet serbe thanë të premten në mbrëmje se po përballeshin me 25 zjarre pyjore, njëri prej të cilëve kishte shkatërruar 25 kilometra katrorë territor në parkun kombëtar Deliblatska, pranë Beogradit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha të shtunën pasdite se Evropa ndodhet në “alarm të lartë për zjarret” dhe se presioni po rritet mbi vendet e Europës Lindore.
Ajo shtoi se satelitët e vëzhgimit të Tokës të programit Copernicus të BE-së “po mbështesin tashmë operacionet e hartëzimit” në Spanjë, Shqipëri, Greqi, Francë, Gjermani dhe Serbi, ndërsa Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Europian “është aty kur një vend kërkon ndihmë”. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
