Më shumë se 135 milionë njerëz pritet të përballen me temperatura mbi 35°C, ndërsa në disa zona të Francës temperaturat kanë kaluar 42°C. Në Mbretërinë e Bashkuar është regjistruar dita më e nxehtë e vitit.
Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt dhe disa vende nuk janë të pajisura mirë për të përballuar temperaturat e larta. Shkencëtarët e lidhin rritjen e temperaturave dhe shpeshtësinë e valëve të të nxehtit me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Valët e përsëritura të të nxehtit dhe thatësirat kanë nxitur një sezon historikisht të rëndë të zjarreve në Evropë dhe kanë kontribuar në vdekjen e mijëra njerëzve.
Sipas një analize të AFP-së, rreth 340 milionë evropianë, ose pothuajse tre në pesë banorë të kontinentit, pritet të përjetojnë temperatura mbi 30°C.
Franca në temperatura ekstreme
Në Francë, temperaturat vazhduan të rriten. Shërbimi meteorologjik Météo-France regjistroi 42.5°C në Chateaumeillant, në qendër të vendit, temperatura më e lartë e regjistruar të enjten.
Në Paris temperaturat arritën 38°C, ndërsa pjesa më e madhe e vendit ishte nën alarm për valë të të nxehtit.
Italia dhe Spanja
Në Itali, temperatura të ngjashme pritej të prekni rreth 29 milionë njerëz, veçanërisht përgjatë bregdetit perëndimor, në luginën e lumit Po, në jug dhe në ishuj.
Edhe pjesë të mëdha të Gadishullit Iberik u përfshinë nga temperaturat e larta. Në Spanjë, rreth 25 milionë njerëz u prekën nga vala e të nxehtit, ndërsa temperaturat në zonat qendrore arritën 37°C.
Britania përballet me një verë rekord
Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat arritën 36°C ose më shumë në 40 zona të Anglisë qendrore dhe jugore.
Met Office tha këtë javë se vendi është në rrugën për të regjistruar verën më të nxehtë në historinë e tij.
Vala e të nxehtit ka favorizuar gjithashtu përhapjen e zjarreve në të gjithë Evropën. Në Greqinë veriore, qindra turistë u evakuuan me anije pasi një zjarr pyjor iu afrua dy zonave turistike të njohura. Ndërkohë, në West Midlands të Anglisë, ekipet e emergjencës luftuan me zjarret që dëmtuan banesa, në kushtet e një thatësire të fortë.
Sipas organizatës Klimadashboard, numri real i njerëzve të prekur mund të jetë edhe më i lartë, pasi modeli meteorologjik i përdorur në analizë nuk pasqyron plotësisht efektin e ishullit të nxehtësisë urbane, që i bën qytetet dukshëm më të nxehta se zonat rurale përreth./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
