Sistemi i shumëpritur i BE-së për lejet e udhëtimit për vizitorët që udhëtojnë pa vizë ka hasur një tjetër pengesë. Bashkimi Europian ka shtyrë pa afat nisjen e Sistemit Europian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Sistemi, i cili në të ardhmen do t’u kërkojë udhëtarëve nga vende si Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanadaja dhe Australia të marrin autorizim përpara udhëtimit, pritej të niste në vitin 2027. Tashmë edhe ky afat është i pasigurt, pasi problemet teknike me sistemin e ri europian të kontrollit kufitar vazhdojnë të shkaktojnë vështirësi.
Për udhëtarët, mesazhi për momentin është i qartë: mos aplikoni dhe mos paguani askënd që pretendon se ofron aplikime për ETIAS.
Muajin e kaluar, gazeta britanike Financial Times raportoi se skema pritej të shtyhej. Ndërkohë, BE-ja e ka bërë zyrtare këtë vendim në faqen e saj, duke deklaruar: “ETIAS aktualisht nuk është në funksion dhe në këtë pikë nuk po mblidhen aplikime për autorizime udhëtimi.”
BE-ja shtoi se do të njoftojë për datën konkrete të nisjes së ETIAS disa muaj përpara fillimit të sistemit.
Vendimi vjen pas kaosit të krijuar nga sistemi i ri europian i hyrje-daljeve EES, i cili ka shkaktuar radhë të gjata në aeroporte dhe humbje fluturimesh gjatë sezonit të ngarkuar veror. Edhe EES ishte planifikuar fillimisht të niste në vitin 2022, por u shty disa herë.
Kur ETIAS të hyjë përfundimisht në fuqi, ai pritet të kushtojë 20 euro dhe do të mundësojë udhëtimin në 30 vende europiane të zonës Schengen, si dhe në Islandë, Norvegji, Lihtenshtajn dhe Zvicër. Fëmijët nën 18 vjeç, personat mbi 70 vjeç dhe disa familjarë të qytetarëve të BE-së pritet të përjashtohen nga pagesa.
Autorizimi do të jetë i vlefshëm për tre vjet, ose deri në skadimin e pasaportës, dhe do t’u lejojë mbajtësve të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
I bazuar në programin amerikan ESTA, i cili funksionon që prej vitit 2008, ETIAS do të kërkojë plotësimin e një formulari online dhe dhënien e të dhënave personale. Aplikantët do t’u përgjigjen gjithashtu pyetjeve të sigurisë dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli përpara udhëtimit. Shumica e aplikimeve pritet të miratohen brenda pak minutash.
Sipas raportimeve, zyrtarët e ETIAS pritet të paraqesin muajin e ardhshëm një kalendar të rishikuar. Edhe pse qarkullojnë zëra se sistemi mund të hyjë ende në fuqi këtë vit, duket më e mundshme që nisja të bëhet në vitin 2027./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
