Vapa e zgjatur që ka përfshirë Evropën këtë verë mund të fshijë një vit të tërë rritjeje ekonomike, sipas një studimi të publikuar nga Triodos Bank.
Analiza vlerëson se dëmet nga temperaturat ekstreme dhe zjarret do të arrijnë në mënyrë kumulative në 180 miliardë euro në vitin 2026, që përfaqëson rreth 1% të PBB-së. Duke pasur parasysh se rritja e pritshme e BE-së për këtë vit është rreth 1.1%, ekonomia e bllokut do të mbetet pranë stanjacionit.
Banka e ndan ndikimin në katër drejtime kryesore, tre prej të cilave janë matur si mesatare për BE-në. Rendimentet më të ulëta të kulturave bujqësore dhe prodhimi më i ulët i qumështit, së bashku me rritjen e çmimeve të ushqimeve, përbëjnë rreth 0.15%. Kufizimet në prodhimin bërthamor, hidroenergjetik dhe termik, efikasiteti më i ulët i energjisë diellore dhe rritja e çmimeve të energjisë në tregun me shumicë shtojnë 0.12–0.15%. Ndërprerjet në transportin hekurudhor, rrugor dhe në rrugët ujore shtojnë rreth 0.15%. Ndikimi më i madh dhe më i vështirë për t’u matur lidhet me produktivitetin e punës.
Prodhimi për punëtor bie kur temperaturat kalojnë afërsisht 25–30°C, me humbjet më të mëdha në punët në ambiente të jashtme dhe ato fizikisht të lodhshme. Edhe puna në zyra ndikohet, pjesërisht për shkak se temperaturat e larta dëmtojnë gjumin dhe aftësitë njohëse.
Një analizë ndërkombëtare e kryer nga Allianz, e cituar në studim, vlerëson se prodhimi për orë pune bie me rreth 3% për çdo gradë Celsius mbi 30°C, kur temperaturat e larta zgjasin për disa ditë.
Franca kryeson listën e vendeve të goditura
Rezultatet nuk janë një renditje e vendeve më të nxehta. Triodos vlerëson secilën ekonomi duke marrë parasysh përqindjen e prodhimit që varet nga sektorët e ekspozuar, kohën e udhëtimeve për në punë, përhapjen e kondicionerëve dhe nivelin e përshtatjes ndaj temperaturave të larta. Më pas, këta faktorë lidhen me numrin e ditëve me temperatura jashtëzakonisht të larta të regjistruara këtë vit.
Franca rezulton vendi më i prekur, me një humbje të vlerësuar prej 1.4 pikësh përqindjeje të rritjes ekonomike, çka do ta çonte ekonominë në një tkurrje prej rreth 0.6%, nga një pikënisje tashmë e dobët.
Holanda humbet rreth 0.8 pikë përqindjeje, duke e lënë ekonominë afërsisht në stanjacion.
Spanja dhe Italia kanë fuqinë punëtore më të ekspozuar dhe numrin më të madh të ditëve të nxehta, por dekadat e përshtatjes ndaj temperaturave të larta zbusin ndikimin e një vere të vetme.
Polonia, me përhapje të ulët të kondicionerëve dhe më pak përshtatje ndaj vapës, do të ishte shumë e ekspozuar. Megjithatë, vera atje ka qenë më e freskët dhe ekonomia pritet të rritet me rreth 2.9%.
Kostot që nuk përfshihen në shifrat e PBB-së
Kostoja njerëzore e temperaturave të larta mbetet kryesisht jashtë këtyre përllogaritjeve.
Rreth 20,400 vdekje të lidhura me temperaturat e larta u regjistruan në Francë, Gjermani, Spanjë dhe Itali vetëm gjatë valës së të nxehtit të qershorit. Vlerësimi i rreth 25,000 vdekjeve gjatë verës, përmes viteve të jetës së humbura, sugjeron një kosto prej 1.5 deri në 7 miliardë euro.
Zjarret pyjore kanë përfshirë mbi 490,000 hektarë në BE deri javën e kaluar, krahasuar me një mesatare 20-vjeçare prej 197,000 hektarësh, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje. Franca ka regjistruar një rekord të ri.
Humbja e shërbimeve që ekosistemet ofrojnë falas mund t’i shtojë kostos nga 100 milionë deri në 4.6 miliardë euro.
Sipas studimit, masat e përshtatjes mund të reduktojnë humbjet e produktivitetit me rreth 40%, por nuk mund t’i eliminojnë plotësisht ato. Autorët theksojnë gjithashtu se vlerësimet janë bazuar në supozime konservatore.
Banka argumenton se përshtatja nuk mjafton e vetme dhe se Evropa duhet të ndërmarrë masa më të forta për reduktimin e emetimeve. Sipas saj, vendimi i Komisionit Evropian më 17 korrik për të lehtësuar trajektoren e skemës kryesore të çmimit të karbonit shkon në drejtim të kundërt./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
