Transporti publik paralajmëron reduktim të kapaciteteve të flotës nëse nuk ndërhyhet urgjentisht për zhbllokimin e kompensimit të karburantit dhe vijimin e mbështetjes financiare. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar institucioneve shtetërore, duke kërkuar marrjen e masave për garantimin e vijimësisë normale të shërbimit publik.
Në një kërkesë të datës 11 gusht 2026, dy shoqatat e operatorëve të transportit ngrenë shqetësimin për situatën ekonomike dhe financiare me të cilën po përballen kompanitë, duke theksuar se, pavarësisht përmbushjes së procedurave të kërkuara, kompensimi i miratuar për muajt mars, prill dhe maj 2026 ende nuk është disbursuar.
Bëhet fjalë për skemën e kompensimit të përcaktuar në VKM nr. 341, datë 13.05.2026, e cila parashikon kompensimin e operatorëve të transportit publik me masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026. Sipas operatorëve, dy shoqatat kanë vepruar në përputhje me procedurat e përcaktuara dhe kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar pranë institucioneve përgjegjëse. Megjithatë, procesi i disbursimit nuk ka përfunduar.
Kjo situatë, sipas tyre, po krijon vështirësi të konsiderueshme në administrimin financiar të kompanive dhe po shton presionin mbi kostot e aktivitetit.
Shoqatat argumentojnë se problemi nuk është zgjidhur me përfundimin e periudhës së mbuluar nga skema e kompensimit. Çmimet e karburantit vijojnë të mbeten në nivele të larta, duke rënduar drejtpërdrejt kostot e operatorëve. Karburanti përbën një nga komponentët kryesorë të kostove të transportit publik dhe çdo ndryshim i ndjeshëm i çmimit për litër reflektohet në kostot e mirëmbajtjes dhe operimit të flotës. Sipas kërkesës, kombinimi i dy faktorëve si mungesa e disbursimit të kompensimit për muajt mars-maj dhe vijimi i kostove të larta të karburantit ka sjellë mungesë të vazhdueshme likuiditeti për operatorët.
Shoqatat paralajmërojnë se presioni financiar po prek tashmë kapacitetin e operatorëve për të mbajtur në qarkullim të gjithë flotën e nevojshme për realizimin normal të shërbimit. Në kërkesë theksohet se, nëse situata vijon pa një zgjidhje konkrete, operatorët mund të detyrohen të rishikojnë kapacitetet operative dhe numrin e mjeteve të transportit publik që mund të nxjerrin në qarkullim.
Përballë kësaj situate, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kërkojnë ndërhyrje institucionale në katër drejtime. Së pari, kërkohet përfundimi i menjëhershëm i procedurave dhe disbursimi i plotë i kompensimit për marsin, prillin dhe majin 2026. Së dyti, kërkohet informimi zyrtar i operatorëve mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i kompensimit, problematikat që mund të kenë shkaktuar vonesën dhe afati konkret i parashikuar për realizimin e pagesave. Së treti, kërkohet vlerësimi dhe miratimi i vijimit të skemës së kompensimit edhe për periudhën pas muajit maj, për aq kohë sa vijojnë të jenë të pranishme kushtet ekonomike dhe çmimet e karburantit që justifikuan ndërhyrjen fillestare. Dhe së fundi, operatorët kërkojnë një komunikim të menjëhershëm ndërinstitucional me përfaqësuesit e dy shoqatave, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që të garantojë vazhdimësinë normale të shërbimit. /ekofin.al
