Nga Edvin Prençe * për ekofin.al
Euro ka zbritur në rreth 93 lekë, një minimum historik. Por në këtë pikë, debati nuk duhet të ndalet më te pyetja nëse euro do të shkojë në 92, 90 apo do të rikthehet mbi 95 lekë.
Pyetja më e rëndësishme është tjetër: çfarë po ndodh në ekonominë shqiptare që oferta e euros vazhdon të jetë kaq e fortë?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur shohim se Banka e Shqipërisë prej kohësh po blen valutë nga tregu. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti blerjet arritën rreth 140 milionë euro.
Megjithatë, euro vazhdon të dobësohet.
Kjo tregon se nuk jemi më përpara një fenomeni që mund të shpjegohet vetëm me turistët e korrikut dhe gushtit. Por paralelisht kemi një treg shumë aktiv të pasurive të paluajtshme, ritme të larta ndërtimi dhe flukse valutore që jo gjithmonë janë të lehta për t’u identifikuar plotësisht përmes statistikave tradicionale.
Këtu nuk kemi nevojë për akuza apo teori. Kemi nevojë për më shumë transparencë ekonomike: sa valutë hyn në ekonomi, nga vjen, si qarkullon dhe ku investohet.
Sepse euro në 93 lekë nuk prek të gjithë njësoj. Për importuesin, leku i fortë ul koston e blerjeve jashtë vendit. Për konsumatorin ndihmon në frenimin e çmimeve të importuara. Për borxhin në valutë krijon gjithashtu efekte të favorshme kur ai shprehet në lekë.
Por për kompaninë që eksporton, matematika është tjetër. Një kontratë prej 1 milion eurosh, me kursin mesatar rreth 119 lekë të vitit 2022, sillte rreth 119 milionë lekë të ardhura. Me kursin 93 lekë, e njëjta kontratë sjell rreth 93 milionë. Pothuajse 26 milionë lekë më pak, pa ndryshuar as produkti, as klienti dhe as volumi i punës.
Ndërkohë, pagat dhe kostot e tjera nuk janë ulur. Përkundrazi. Kjo është arsyeja pse forcimi i lekut nuk mund të analizohet vetëm si një zhvillim pozitiv monetar.
Industria po përballet me një presion të dyfishtë.
Sinjalet nga eksportet industriale nuk janë të mira. Tekstilet dhe këpucët kanë dhënë kontribut negativ në ecurinë e eksporteve në disa muaj të vitit 2026.
Natyrisht, kursi nuk është shkaku i vetëm. Konkurrenca ndërkombëtare, rritja e pagave, produktiviteti dhe ndryshimi i kërkesës europiane janë po aq realë. Por kur këtyre u shtohet edhe një forcim mbi 20% i lekut ndaj euros në pak vite, nuk kemi më thjesht një problem të menaxhimit të një fabrike. Kemi një problem konkurrueshmërie.
Industria shqiptare duhet të transformohet, të automatizohet dhe të kalojë drejt produkteve me më shumë vlerë të shtuar. Por ky transformim kërkon kapital dhe kohë. Nëse humbasim fabrikat dhe kontratat përpara se ky transformim të ndodhë, më vonë mund të jetë shumë më e kushtueshme t’i rikthejmë.
Ne nuk kërkojmë një kurs administrativ të euros. Shqipëria ka kurs të lirë këmbimi dhe ky parim duhet të ruhet.
Por një goditje e kësaj përmase mbi konkurrueshmërinë e eksporteve nuk mund të trajtohet vetëm si problem i biznesit. Pro Eksport Albania propozon një paketë kombëtare për konkurrueshmërinë e eksporteve, të përqendruar te disa masa konkrete:
- lehtësim i përkohshëm dhe i kushtëzuar i kostos së punës për sektorët më të ekspozuar, i lidhur me ruajtjen e vendeve të punës dhe formalizimin;
- mbështetje në grante dhe instrumente financiare për teknologjinë, automatizimin, eficiencën energjetike dhe produktet me vlerë më të lartë të shtuar;
- instrumente të aksesueshme financiare për mbrojtjen nga rreziku i kursit të këmbimit dhe për kapitalin qarkullues të eksportuesve;
- një tryezë të përhershme Qeveri – Banka e Shqipërisë – sistem bankar – eksportues, jo për të përcaktuar kursin, por për të matur ndikimin e tij mbi prodhimin, eksportet, punësimin dhe investimet.
Mbështetja nuk duhet të jetë e përhershme. Duhet të lidhet me një objektiv të qartë: t’u japë kompanive kohën dhe instrumentet për të kaluar nga konkurrenca me kosto të ulët drejt konkurrencës me produktivitet, teknologji dhe vlerë të shtuar.
Debati nuk është vetëm për euron. Problemi është ajo që kursi po na tregon për mënyrën se si po ndryshon ekonomia shqiptare.
A po krijojmë një ekonomi ku kapitali dhe burimet orientohen gjithnjë e më shumë drejt konsumit, pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve, ndërsa prodhimi humbet gradualisht konkurrueshmërinë?
Apo do të ruajmë një ekonomi të balancuar, ku turizmi dhe ndërtimi zhvillohen, por paralelisht industria vazhdon të prodhojë, të eksportojë dhe të krijojë vende pune?
Sektorët që përfaqësojmë lidhen me rreth 65 mijë vende pune. Një kontratë europiane që humbet sot mund të transferohet në një vend tjetër brenda pak javësh. Për ta rikthyer pas disa vitesh mund të mos mjaftojë as subvencioni dhe as një kurs më i favorshëm.
Prandaj pyetja që duhet të bëjmë nuk është vetëm “pse euro është 93 lekë?”, por:
Kush po përfiton nga ky ndryshim, kush po paguan koston dhe çfarë duhet të bëjmë që Shqipëria të mos humbasë kapacitetin e saj për të prodhuar dhe eksportuar?
Ky është debati që duhet të fillojë tani. Sepse kursi mund të ndryshojë përsëri. Kapacitetet prodhuese që humbasim sot, mund të mos rikthehen nesër.
*Kryetar – Pro Eksport Albania
