Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë tendencën për profesionet më të kërkuara sipas arsimit dhe kategorive të punësimit.
Në sektorin privat në grupin e punonjësve me arsim të lartë kërkohen më shumë ekonomistë, menaxherë, specialistët e komunikimit dhe inxhinierët e softuerëve. Ajo që bie më sy është kërkesa në rënie për juristë e arkitektë.
Po në sektorin privat, kamarierët kryesojnë listën e kërkesës për punonjës me arsim të mesëm, së bashku me kuzhinierët, banakierët, kjo edhe bazuar në shifrat e fundit të turizmit ku shërbimet janë gjithmonë në kërkim për fuqi punëtore më të mëdha. Gjithashtu, është rritur kërkesa për shoferët e makinerive të rënda, duke pasur parasysh edhe zhvillimin e madh të ndërtimeve në vend.
Në grupin e tretë për punonjësit pa arsim, në sektorin privat dominojnë kërkesat për punonjës pastrimi, ndihmëskuzhinier, punëtorë ndërtimi, rrobaqepës dhe sistemues malli.
Ndërsa në Evropë, sipas raportit të përvitshëm të punës, Eures, Europa ka nevojë urgjente për profesionistë në 40 sektorë, që nga saldatorë, hidraulikë, drejtues kamionësh të rëndë, mjekët specialist, mekanike, profesionistë të infermierisë, kamerierë, metalurgë, montues makinerish, punëtorë në shtrimin e dyshemeve, punëtorë çatish, mekanikë të klimatizimit dhe ftohjes, punëtorë ndërtimi.
Ndërkohë në botë, Raporti i Së Ardhmes së Punës tregon se Inteligjenca artificiale gjeneruese (GenAI), në veçanti, ka dëshmuar një rritje të shpejtë si në investime, ashtu edhe në adoptim në sektorë të ndryshëm. Që nga publikimi i Chat GPT në nëntor 2022, flukset e investimeve në AI u rritën gati tetëfish. Ky fluks është është shoqëruar me investim fizik në infrastrukture të nevojshme për të mbështetur këto zhvillime teknologjike.
Sipas raportit, rënien më të madhe pritet ta shohin shërbimi postar, punonjësit e bankës dhe punonjësit e mbledhje së të dhënave, arkëtarët, biletaritë si dhe asistentët administrative apo ekzekutivë.
Mesatarisht, punëtorët mund të presin dy të pestat (39%) e grupeve të tyre ekzistuese të aftësive do të transformohen ose bëhen të vjetëruara gjatë periudhës 2025-2030./ekofin.al




