Vendimi i Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), që përjashtonte për 12 muaj nga e drejta për të fituar kontrata publike dy kompanitë e akuzuara për paraqitje dokumentesh të rreme në tenderin 9.5 milionë euro të mirëmbajtjes së rrjetit DVB-T2 të Radio Televizionit Shqiptar, është pezulluar përkohësisht nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
Sipas dokumentit të siguruar nga Ekofin.al, APP ka bërë të ditur se ka hequr përkohësisht nga lista e operatorëve të përjashtuar shoqëritë “R&T” SHPK dhe “TBS 96” SHPK, pasi Gjykata Administrative ka pranuar kërkesën e tyre për sigurimin e padisë dhe ka urdhëruar pezullimin e zbatimit të Vendimit nr. 45, datë 31 korrik 2026, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar për çështjen.
Dy kompanitë ishin përjashtuar nga APP për një periudhë 12-mujore, pasi Agjencia kishte konstatuar se ato kishin kryer keqinformim për qëllime kualifikimi, duke paraqitur dokumente të pavërteta në procedurën e prokurimit me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për rrjetin e shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me fond limit rreth 906.9 milionë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Radio Televizioni Shqiptar.
Pas këtij vendimi, bashkimi i operatorëve ekonomikë iu drejtua Gjykatës Administrative, duke kërkuar marrjen e masës së sigurimit të padisë. Me vendimin nr. 136, datë 5 gusht 2026, gjykata pranoi kërkesën dhe vendosi pezullimin e efekteve të vendimit të APP-së deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Në zbatim të këtij vendimi gjyqësor, APP ka proceduar me heqjen e përkohshme të emrit të dy kompanive nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike. Agjencia thekson se kjo masë nuk përbën shfuqizim të vendimit të saj, por vetëm zbatim të urdhrit të gjykatës, ndërsa statusi përfundimtar i kompanive do të përcaktohet vetëm pasi të përfundojë shqyrtimi gjyqësor.
Çështja lidhet me një nga procedurat më të kontestuara të realizuara nga RTSH, e cila zgjat prej shumë muajsh dhe që ka të bëjë me mirëmbajtjen 4-vjeçare të rrjetit kombëtar DVB-T2 të televizionit publik, e cila ka qenë në qendër të debatit publik pas konstatimeve për përdorimin e dokumenteve të rreme në procesin e kualifikimit. Deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, dy shoqëritë nuk do të konsiderohen të përjashtuara nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik. /ekofin.al

