MABCO Constructions SA ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurës së zgjidhjes së kontratës koncesionare për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke e cilësuar atë si një veprim të paligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës. Sipas kompanisë, autoritetet shtetërore krijuan pengesa për zhvillimin e projektit dhe më pas po i përdorin ato si argument për ndërprerjen e kontratës.
Në deklaratën publike, MABCO pretendon se për afro një vit është mbajtur jashtë kantierit të aeroportit, është privuar nga kontrolli mbi investimin e saj dhe se institucionet kanë injoruar mbi 90 shkresa zyrtare, ku kompania kishte ngritur shqetësimet për situatën. Sipas saj, Ministria nuk ka qenë një palë neutrale, por ka lejuar dhe mbështetur përjashtimin e investitorit kryesor nga projekti.
Kompania argumenton se konflikti lidhet me një tentativë të paligjshme për ndryshimin e strukturës së pronësisë së shoqërisë koncesionare, duke përmendur akte noteriale të rreme, falsifikim dokumentesh dhe krijimin e një konflikti artificial mbi shitblerjen e kuotave. Sipas MABCO, këto zhvillime u shndërruan në bazën e një skenari që çoi në bllokimin e investimit.
Në deklaratë theksohet se administrimi i projektit iu kalua një administratori të emëruar nga ortaku minoritar me vetëm 2% të kuotave, ndërsa investitori që zotëron 98% të aksioneve mbeti jashtë vendimmarrjes. MABCO e konsideron këtë situatë një precedent të papranueshëm dhe pretendon se vendimet e gjykatave kanë sjellë vazhdimisht bllokimin e veprimtarisë së saj.
Një tjetër pikë e ngritur nga kompania lidhet me operatorin e aeroportit. MABCO kundërshton pretendimin e Ministrisë se projekti nuk kishte operator, duke deklaruar se kishte siguruar dakordësinë e Dublin Airport Authority dhe se autoritetet ishin informuar për këtë proces. Gjithashtu, kompania kujton se më herët edhe Munich International Airport ishte tërhequr për shkak të pasigurisë juridike të krijuar në Shqipëri.
Sipas MABCO, megjithëse Gjykata e Lartë riktheu të drejtat e saj si investitor kryesor, institucionet shtetërore nuk zbatuan vendimin dhe vazhduan të pengonin rifillimin e punimeve. Kompania pretendon se kërkesat për ndërhyrje drejtuar Ministrisë, Avokaturës së Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë mbetën pa përgjigje.
Në fund të deklaratës, MABCO paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë arbitrazhin ndërkombëtar, duke argumentuar se veprimet e autoriteteve shqiptare bien ndesh me kontratën koncesionare dhe marrëveshjen dypalëshe Shqipëri–Zvicër për mbrojtjen e investimeve. Kompania thekson se nuk mund të mbahet përgjegjëse për mosrealizimin e punimeve, në një kohë kur, sipas saj, është penguar fizikisht të vazhdojë projektin./ekofin.al
