Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka konfirmuar se objektivi për vënien në funksion të platformës TIPS Clone mbetet muaji nëntor, duke e cilësuar këtë si një nga projektet më të rëndësishme për modernizimin e sistemit të pagesave në vend dhe integrimin e tij me infrastrukturën evropiane.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve pas konferencës së politikës monetare, Sejko tha se Banka e Shqipërisë synon që, më së voni deri në fund të muajit nëntor, sistemi të jetë plotësisht operacional, në përputhje edhe me deklaratën e bërë pak ditë më parë nga Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.
Sipas guvernatorit, Banka e Shqipërisë prej kohësh po punon për implementimin e këtij projekti, në bashkëpunim me Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane dhe sektorin bankar shqiptar, ndërsa tashmë procesi ndodhet në fazën intensive dhe përmbyllëse.
TIPS Clone është versioni i sistemit evropian të pagesave të menjëhershme, i cili mundëson kryerjen e transfertave në kohë reale dhe me kosto shumë më të ulët. Me implementimin e tij, Shqipëria do të integrohet plotësisht në arkitekturën evropiane të pagesave, duke plotësuar procesin e nisur me anëtarësimin në SEPA.
“Praktikisht, me implementimin e këtij sistemi, ne do të jemi plotësisht të integruar me sistemin evropian të pagesave, si në SEPA, ashtu edhe në sistemin e pagesave të shpejta,” u shpreh Sejko.
Guvernatori theksoi se përfitimet ekonomike do të jenë të konsiderueshme. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, nëse pagesat elektronike do të përdoren gjerësisht pas implementimit të TIPS Clone, sistemi financiar mund të gjenerojë kursime potenciale deri në 35 miliardë lekë në vit, ndërsa kursimet për ekonominë shqiptare në tërësi mund të arrijnë deri në 38 miliardë lekë në vit.
Edhe në një skenar më konservator, ku vetëm gjysma e pagesave dhe transfertave realizohen përmes platformës së re, përfitimet mbeten të ndjeshme. Banka e Shqipërisë llogarit se individët do të kursejnë rreth 500 milionë lekë në vit, ndërsa bizneset rreth 1 miliard lekë në vit, falë uljes së kostove të transfertave dhe rritjes së efikasitetit të pagesave.
Sipas Sejkos, platforma nuk do të sjellë vetëm lehtësi për qytetarët dhe bizneset, por do të ketë ndikim edhe në objektivat strategjikë të vendit, duke nxitur përdorimin e pagesave elektronike, uljen e përdorimit të parasë cash, luftën kundër informalitetit dhe rritjen e përfshirjes financiare.
Në këtë mënyrë, Shqipëria pritet të bëhet një nga vendet e rajonit me infrastrukturën më të avancuar të pagesave, e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, duke i afruar qytetarët dhe bizneset shqiptare me të njëjtën përvojë pagesash që ofrohet sot në vendet e BE-së.
