Sigurimi i detyrueshëm motorik (MTPL) po përballet me një rritje të vazhdueshme të kostove të dëmeve, duke ushtruar presion të fortë mbi shoqëritë e sigurimit. Të dhënat për periudhën janar-qershor 2026 tregojnë se jo vetëm është rritur vlera totale e dëmeve të paguara, por është rritur edhe dëmi mesatar për çdo aksident, veçanërisht në segmentin e MTPL-së, i cili përfaqëson pjesën më të madhe të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës në Shqipëri.
Sipas statistikave, dëmi mesatar në të gjithë sigurimin motorik u rrit në 177 mijë lekë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, nga 165 mijë lekë një vit më parë, ose me 7.28%.
Por zhvillimi më domethënës vjen nga sigurimi i detyrueshëm MTPL, ku dëmi mesatar u rrit nga 160 mijë lekë në 181 mijë lekë, një rritje prej 13.48%. Kjo do të thotë se për çdo dëm të paguar, shoqëritë e sigurimit po përballojnë një kosto dukshëm më të lartë sesa një vit më parë.
Rritje e dëmit mesatar është regjistruar edhe për Kartonin Jeshil, ku vlera mesatare arriti në 579 mijë lekë, nga 532 mijë lekë një vit më parë (+8.83%). Në të kundërt, në sigurimin Kasko dëmi mesatar ra me 9.42%, ndërsa në sigurimin Kufitar shënoi një rënie edhe më të fortë prej 25.52%.
Megjithatë, pesha e MTPL-së në treg bën që pikërisht kjo rritje të ketë ndikimin më të madh në bilancet financiare të shoqërive të sigurimit.
Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat për dëmet e paguara. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit, shoqëritë e sigurimit paguan gjithsej 3.66 miliardë lekë dëme në sigurimin motorik, nga 3.13 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke regjistruar një rritje prej 16.91%.
Pjesa dërrmuese e kësaj rritjeje vjen nga MTPL-ja. Dëmet e paguara në sigurimin e detyrueshëm arritën në 2.68 miliardë lekë, nga 2.24 miliardë lekë një vit më parë, me një rritje prej 19.71%.
Praktikisht, rreth 73% e të gjitha dëmeve të paguara në sigurimin motorik lidhen me MTPL-në, duke e bërë këtë produkt jo vetëm më të rëndësishmin për konsumatorët, por edhe më të kushtueshmin për industrinë e sigurimeve.
Rritja njëkohësisht e frekuencës së dëmeve dhe e vlerës mesatare të tyre po e bën sigurimin e detyrueshëm motorik një produkt gjithnjë e më të kushtueshëm për shoqëritë e sigurimit. Kjo do të thotë se kompanitë po përballen me një barrë më të madhe financiare për çdo policë të shitur, ndërsa ruajtja e ekuilibrit teknik të këtij segmenti do të kërkojë menaxhim më të kujdesshëm të riskut, kontroll më të fortë të kostove të dëmeve dhe përmirësim të efikasitetit operacional. /ekofin.al
