Konsumi i familjeve në eurozonë ra ndjeshëm në javët e para të luftës në Iran, ndërsa besimi ra, duke sugjeruar se konflikti i ripërtërirë mund të pengojë përsëri shpenzimet e konsumatorëve. Ky ishte qëndrimi i shprehur i Bankës Qendrore Evropiane në Buletinin Ekonomik të së hënës.
Besimi i konsumatorëve në eurozonë ra ndjeshëm pas shpërthimit të luftës, por që atëherë është rikuperuar disi. Megjithatë, ai mbetet shumë poshtë niveleve të para luftës, duke dobësuar rritjen e përgjithshme ekonomike, e cila prej vitesh ka qenë modeste.
Sipas BQE-së, rënia e konsumit në prill ishte dy herë më e madhe nga sa do të sugjeronin tendencat historike dhe, për nga përmasat, ishte e krahasueshme me reagimin e familjeve ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë në fillim të vitit 2022.
“Kjo sugjeron se kanali i besimit është veçanërisht i fortë në rastin e goditjeve të mëdha, të cilat perceptohen gjerësisht si të tilla nga konsumatorët”, argumentoi BQE.
Pasi ishte luhatur mesatarisht rreth 3%-4% nga mesi i vitit 2024, rritja nominale e konsumit ra në rreth 2.5% me bazë vjetore në prill. Rënia u nxit kryesisht nga familjet me të ardhura më të larta, të cilat reduktuan shpenzimet jo të domosdoshme.
“Kjo përforcon pikëpamjen se ngadalësimi nuk është rezultat i kufizimeve të forta të të ardhurave, por më shumë i faktit që familjet shtyjnë blerjet kur kanë mundësi të përshtatin kohën e shpenzimeve të tyre”, tha BQE.
Familjet gjithashtu shprehën frikën se inflacioni i shpejtë i shkaktuar nga konflikti mund të gërryente të ardhurat reale. Rreth 40% e të anketuarve thanë se nuk prisnin që kjo humbje e të ardhurave të rikuperohej./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
