Inflacioni në Eurozonë u rrit në 2.9% në korrik, por presionet mbi çmimet ndryshuan ndjeshëm mes vendeve anëtare. Ja ku inflacioni u përshpejtua, ku u ngadalësua dhe si reaguan tregjet.
Ngadalësimi i inflacionit në Europë rezultoi jetëshkurtër.
Pas rënies në qershor, rritja e çmimeve të konsumit në Eurozonë u përshpejtua sërish në korrik, pasi rifillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme rriti kostot e energjisë.
Vlerësimi paraprak i Eurostat tregoi se inflacioni vjetor në Eurozonë arriti në 2.9% në korrik, nga 2.8% në qershor, në përputhje me pritshmëritë e ekonomistëve.
Edhe inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e luhatshme të ushqimeve dhe energjisë, u rrit në 2.5%, nga 2.4%. Energjia shënoi rritjen më të lartë vjetore, me 10%, e ndjekur nga shërbimet, çmimet e të cilave u rritën me 3.3%.
Të dhënat u publikuan vetëm një ditë pasi rezultoi se ekonomia e Eurozonës ishte përshpejtuar papritur në tremujorin e dytë. Kjo përforcoi vlerësimin se ekonomia europiane mbetet shumë më e qëndrueshme nga sa kishin parashikuar shumë analistë.
Megjithatë, përtej shifrës së përgjithshme, prirjet e inflacionit ndryshuan fort në Eurozonë. Disa vende u përballën me intensifikim të presioneve mbi çmimet, ndërsa në të tjera u shënua një ngadalësim i dukshëm.
Lituania mbetet vatër e inflacionit
Lituania regjistroi normën më të lartë të inflacionit në Eurozonë në korrik, me 5.6%. Ajo u pasua nga Bullgaria me 4.1%, Qiproja me 4%, Spanja me 3.8% dhe Kroacia me 3.6%.
Në skajin tjetër, Estonia raportoi normën më të ulët vjetore të inflacionit, me 2%. Pas saj u renditën Malta me 2.1%, Franca me 2.4%, Letonia me 2.5%, si dhe Austria e Finlanda me nga 2.6%.
Në Gjermani, ekonominë më të madhe të Eurozonës, inflacioni u përshpejtua në 2.8%, ndërsa Italia regjistroi një normë prej 2.9%, të njëjtë me mesataren e bllokut.
“Mendojmë se inflacioni i përgjithshëm do të mbetet i qëndrueshëm, pak mbi 2.5% në Eurozonë”, komentoi ekonomisti i Pantheon Economics, Claus Vistesen.
Kompania pret që Banka Qendrore Europiane të rrisë edhe një herë normat e interesit me 25 pikë bazë dhe më pas të ndalojë ciklin e shtrëngimit monetar.
Ku u përshpejtua inflacioni dhe ku u ngadalësua
Krahasuar me qershorin, presionet inflacioniste ndoqën drejtime shumë të ndryshme në vendet e Eurozonës.
Rritja më e fortë mujore u regjistrua në Holandë, ku çmimet e konsumit u rritën me 1.5% krahasuar me qershorin. Pas saj u renditën Gjermania me 0.9%, Franca, Kroacia dhe Malta me nga 0.6%, Estonia me 0.5% dhe Bullgaria me 0.4%.
Në të kundërt, çmimet ranë më fort në Greqi, me 1.4%. Ulje u shënuan gjithashtu në Itali me 1%, Letoni me 0.7%, Belgjikë dhe Luksemburg me nga 0.6%, Austri me 0.4%, si dhe Portugali e Slloveni me nga 0.3%.
“Konflikti në vazhdim dhe rritja e kostove të energjisë mbeten rreziqe kryesore për rritjen ekonomike, duke qenë se Eurozona është importuese neto e energjisë”, tha Matthew Ryan, drejtues i strategjisë së tregjeve në kompaninë globale të shërbimeve financiare Ebury.
“Megjithëse çmimet e naftës janë ulur nga nivelet më të larta, ato mbeten të larta, ndërsa rritja e çmimit të gazit natyror në nivelet më të larta të disa viteve po shton shqetësimet”, shtoi ai.
Tregjet ruajnë oreksin për rrezik
Oreksi për rrezik mbeti i fortë në tregje pas rritjes së fuqishme të Wall Street-it në seancën e mëparshme. Aksionet e Microsoft u rritën me 15%, pas rezultateve tremujore që tejkaluan ndjeshëm pritshmëritë, duke shënuar ecurinë më të mirë ditore që nga viti 2008.
Euro u forcua lehtë ndaj dollarit amerikan, në 1.1520, menjëherë pas publikimit të të dhënave për inflacionin, ndërsa bursat europiane vijuan rritjen e së enjtes.
Indeksi gjerman DAX 40 u rrit me rreth 0.8%, duke arritur një rekord të ri mbi 25,800 pikë. Euro Stoxx 50 fitoi më shumë se 1% dhe arriti nivelin më të lartë historik, ndërsa CAC 40 i Francës u rrit me rreth 0.9%. FTSE MIB i Italisë shënoi ecurinë më të mirë, me një rritje pranë 1%.
Aksionet e kompanive teknologjike udhëhoqën sërish rritjen.
Infineon Technologies fitoi më shumë se 6%, duke zgjeruar rimëkëmbjen e nxitur nga inteligjenca artificiale në sektorin global të gjysmëpërçuesve. STMicroelectronics u rrit me mbi 4%, ndërsa Siemens Energy fitoi rreth 3.5%.
Edhe rezultatet financiare të kompanive vijuan të mbështesin optimizmin e investitorëve.
Aksionet e Saint-Gobain u rritën pasi kompania raportoi përshpejtim të shitjeve në tremujorin e dytë. NatWest avancoi pas një rritjeje prej 29% të fitimit para taksave, ndërsa Engie dhe Crédit Agricole u tregtuan gjithashtu në rritje pas rezultateve më të mira se parashikimet./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

