Vetëm 9 nga 61 bashki, ose 15% e njësive vendore në vend, kishin hartuar dhe miratuar deri në fund të vitit 2025 strategjitë vendore për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore. Për 39 bashki procesi nuk kishte nisur ende, ndërsa 13 të tjera ndodheshin në fazën e hartimit. Këto janë disa nga gjetjet e një auditimi të bërë nga KLSH.
Detyrimi për përgatitjen e këtyre dokumenteve buron nga ligji për mbrojtjen civile i vitit 2019. Strategjitë vendore duhet të përcaktojnë rreziqet kryesore për çdo territor, masat parandaluese, strukturat përgjegjëse, burimet financiare dhe mënyrën e reagimit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se, gjashtë vjet pas miratimit të ligjit, 85% e bashkive nuk e kishin përfunduar këtë detyrim.
Në Durrës dhe Elbasan, të përfshira drejtpërdrejt në auditim, procesi i hartimit të strategjive nuk kishte filluar. Mungesa e dokumenteve është veçanërisht e rëndësishme për Durrësin, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i vitit 2019, si dhe për bashkitë që përballen me përmbytje, zjarre dhe rreziqe të tjera natyrore.
Tetë në dhjetë bashki pa staf të trajnuar
Sipas problematikave të identifikuara nga KLSH, 80% e bashkive nuk kanë staf të trajnuar për hartimin e dokumenteve strategjike. Në disa raste nuk janë ngritur as sektorët që duhet të mbulojnë emergjencat civile.
Bashkitë kanë raportuar gjithashtu mungesë fondesh, paqartësi në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit për fondet e mbrojtjes civile dhe vonesa në shpërndarjen e paketës së kushtëzuar të emergjencave.
Një problem tjetër lidhet me mungesën e të dhënave të plota për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Pa informacion të standardizuar mbi popullsinë e prekur, banesat, bizneset, infrastrukturën dhe humbjet ekonomike, bashkitë e kanë më të vështirë të përcaktojnë rreziqet dhe investimet prioritare.
Edhe Strategjia Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2023–2030 paraqet mangësi në matjen e rezultateve. Sipas auditimit, aktivitetet e planit të veprimit nuk janë shoqëruar me tregues dhe objektiva vjetorë që do të mundësonin monitorimin e progresit.
KLSH nuk gjeti evidenca për funksionimin e grupit të punës që duhet të monitorojë strategjinë kombëtare. Nuk ishin hartuar raporte të konsoliduara vjetore, nuk ishte bërë vlerësim i jashtëm i zbatimit dhe nuk ishte raportuar në Këshillin e Ministrave mbi aktivitetet e realizuara dhe nivelin e zbatimit.
Për Durrësin dhe Elbasanin, KLSH kërkon që strategjitë vendore të hartohen dhe miratohen brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2027. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile duhet gjithashtu të kërkojë periodikisht informacion nga të gjitha bashkitë që nuk e kanë përmbushur detyrimin dhe të raportojë çdo vit mbi ecurinë dhe pengesat. /ekofin.al
