Zgjerimi i Bashkimit Evropian po përshpejtohet, por struktura përgjegjëse e Komisionit Evropian po i shteron kapacitetet për të menaxhuar njëkohësisht negociatat me disa vende kandidate.
Komisioni Evropian po përballet me mungesë kapacitetesh për të administruar disa procese anëtarësimi në të njëjtën kohë, ndërsa vështirësitë më të mëdha mund të jenë ende përpara.
Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore (DG ENEST) po përballet me një sfidë gjithnjë e më të madhe në drejtim të kapaciteteve, sipas tri burimeve në dijeni të çështjes.
Në mënyrë ironike, presioni vjen nga vrulli që ka marrë zgjerimi i bllokut: gjatë gjashtë muajve të fundit janë mbyllur më shumë kapituj negociues sesa në të gjithë dekadën e kaluar.
Mali i Zi, i konsideruar si vendi kryesues në proces, po punon aktualisht për hartimin e traktatit të anëtarësimit dhe synon të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028. Shqipëria ndodhet menjëherë pas tij dhe shpreson të nisë punën për traktatin e vet të anëtarësimit në fillim të vitit të ardhshëm.
Përfundimi i procesit të anëtarësimit me Podgoricën, përmes ngritjes së një grupi të posaçëm pune, ka kërkuar një rishpërndarje të konsiderueshme të burimeve. Konkretisht, janë zhvendosur zyrtarë që më parë punonin me vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk kanë shënuar përparim kohët e fundit.
“Nuk janë vetëm vendet kandidate ato që kanë vështirësi të përballojnë volumin e madh të punës së kërkuar”, tha në kushte anonimiteti një zyrtar për Euronews. “Komisioni ka humbur kujtesën institucionale dhe kapacitetet e krijuara gjatë valës së fundit të zgjerimit.”
Situata ndërlikohet më tej nga fakti se DG ENEST, ashtu si shumë drejtori të tjera të Komisionit, mbështetet kryesisht te kontratat e përkohshme dhe ka pak zyrtarë të përhershëm. Kjo sjell qarkullim të lartë të stafit dhe mungesë përvoje për mbylljen e negociatave, pasi vendi i fundit që iu bashkua BE-së ishte Kroacia, në vitin 2013.
Ndërkohë, Islanda po rikthehet papritur në skenë dhe ka thirrur një referendum më 29 gusht për të vendosur nëse do ta rifillojë rrugën e anëtarësimit. Nëse Rejkjaviku vendos të ecë përpara, Komisionit do t’i duhet të krijojë një tjetër grup pune për traktatin e anëtarësimit dhe të rrisë ndjeshëm burimet e dedikuara për këtë vend.
Pika të tjera presioni janë Ukraina dhe Moldavia, të cilat gjatë javëve të fundit kanë hapur nga dy kapituj negociues. Politikisht, ekziston një shtysë për hapjen e katër grupkapitujve të mbetur deri në fund të vitit, megjithëse Hungaria ka kërkuar një qasje më graduale për arsye të politikës së brendshme.
Sipas metodologjisë aktuale të zgjerimit, asnjë vend nuk i ka hapur ndonjëherë të gjithë grupkapitujt negociues njëkohësisht. Shqipëria ka ecur jashtëzakonisht shpejt, por edhe Tiranës iu desh më shumë se një vit për t’i hapur zyrtarisht të gjithë.
Komisioni vijoi punën edhe kur kandidatura e Kievit për anëtarësim u bllokua nga Hungaria e Viktor Orbánit, përmes një procesi të njohur si “frontloading”, pra përgatitjes paraprake të punës. Megjithatë, ambicia politike për të përparuar njëkohësisht në disa grupkapituj mund të përballet tani me kufizimet reale të të dyja palëve.
Në Bruksel, zyrtarët pranojnë se përparimi paralel me kaq shumë vende do të kërkojë në mënyrë të pashmangshme një ripërcaktim të prioriteteve dhe të burimeve të brendshme.
Edhe Kievi dhe Kishinau po u afrohen kufijve të kapaciteteve të tyre. As Ukraina dhe as Moldavia nuk kanë menaxhuar më parë negociata dhe një proces integrimi ligjor të këtij niveli kompleksiteti.
Komisioni nuk është i vetmi institucion Evropian që po humbet kontrollin mbi ngarkesën e zgjerimit. Edhe Këshilli i BE-së dhe shtetet anëtare po përpiqen me ngut të forcojnë kapacitetet e tyre të brendshme.
Pasi e ka kthyer zgjerimin në një nga shtyllat e politikës së jashtme, Brukseli do të përballet me një provë gjatë muajve të ardhshëm. Ai duhet të dëshmojë se mund të sigurojë burimet e nevojshme për të mbështetur angazhimin e vet politik./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
