Punonjësit e administratës që dërgohen me shërbim jashtë vendit do të trajtohen financiarisht sipas kategorisë së funksionit, vendit pritës dhe llojit të shpenzimit, ndërsa institucionet duhet të hartojnë që në fillim të vitit një program të udhëtimeve ndërkombëtare.
Vendimi i ri shfuqizon rregullat e vitit 2011 dhe përfshin në skemë punonjësit e njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, fondet speciale dhe këshilltarët e jashtëm të administratës qendrore. Trajnimet afatshkurtra që përfitojnë mbulim financiar nuk mund të zgjasin më shumë se një muaj.
Akomodimi ndahet në pesë kategori funksionesh. Punonjësit e kategorive 1 dhe 2 mund të akomodohen në hotele deri në 5 yje, kategoritë 3 dhe 4 deri në 4 yje, ndërsa kategoria 5 deri në 3 yje. Mund të miratohet hotel i një kategorie më të lartë kur ofron çmim më të ulët ose të barabartë, kur ndodhet më afër aktivitetit apo kur rezervimi bëhet nga organizatorët, thuhet në vendim.
Sa u përket dietave ushqimore, për trajnimet afatshkurtra, shpenzimi ushqimor përcaktohet në 40 euro ose dollarë në ditë, kur nuk mbulohet nga pala pritëse. Nëse pritësi mbulon vetëm një pjesë, institucioni paguan diferencën. Dietat për udhëtimet e tjera do të caktohen sipas dy tabelave që i bashkëlidhen vendimit, të cilat përcaktojnë pagesën sipas funksionit dhe grupimit të shteteve.
Shpenzimet e rimbursueshme përfshijnë biletat, transportin drejt dhe nga aeroporti, lëvizjet ndërmjet qyteteve për nevoja pune, tarifat rrugore, hotelin, siguracionin shëndetësor, vizat dhe detyrimet e tjera të vendit pritës. Telefonatat personale, minibari i hotelit dhe transporti urban paguhen nga vetë punonjësi.
Gjithashtu, biletat e avionit dhe hoteli duhet të sigurohen drejtpërdrejt nga institucioni. Punonjësi merr në llogarinë bankare një paradhënie për shpenzimet e tjera dhe, pas kthimit, bëhet rakordimi mbi bazën e faturave dhe dokumenteve justifikuese. Teprica e marrë paraprakisht duhet të kthehet, ndërsa diferenca e papaguar i kalon punonjësit.
Kur shpenzimet mbulohen plotësisht nga organizatori, institucioni shqiptar nuk kryen pagesa. Në rast anulimi për arsye të dokumentuara, si sëmundje, fatkeqësi natyrore, probleme sigurie apo anulim fluturimi, kostot përballohen nga buxheti publik; për arsye të tjera, ato mund t’i ngarkohen punonjësit. /ekofin.al
