Operatorët që ushtrojnë veprimtari me rrezik për mjedisin do të duhet të sigurojnë paraprakisht një garanci bankare ose kontratë sigurimi, e cila do të përdoret për parandalimin, rehabilitimin dhe kompensimin e dëmeve të mundshme.
Sipas projektvendimit, garancia financiare nuk do të mbulojë gjobat dhe masat e tjera ndëshkuese administrative. Këto do të mbeten detyrim i drejtpërdrejtë i operatorit, krahas çdo kostoje për dëmin mjedisor që tejkalon shumën e garantuar. Projektvendimi përcakton shprehimisht se vlera e garancisë nuk përbën kufi të përgjegjësisë së subjektit.
Detyrimi do të zbatohet për çdo operator që kryen një nga veprimtaritë e përfshira në listën e miratuar nga Këshilli i Ministrave në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”. Për aktivitetet që nuk përfshihen në këtë listë nuk vendoset detyrimi për garanci financiare, por operatorët vijojnë të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara sipas ligjit.
Drafti parashikon se garancia duhet të jetë e vlefshme përpara fillimit të veprimtarisë dhe të mbahet pa ndërprerje gjatë gjithë ushtrimit të aktivitetit, si dhe për një periudhë pas mbylljes, nëse Agjencia Kombëtare e Mjedisit vlerëson se vazhdon të ekzistojë rrezik ose nevojë për rehabilitim.
Gjithashtu, operatorët do të mund ta përmbushin detyrimin nëpërmjet një garancie bankare të parevokueshme dhe të pagueshme me kërkesën e parë të AKM-së, ose nëpërmjet një kontrate sigurimi për përgjegjësinë mjedisore. Do të lejohet edhe kombinimi i të dyja formave, me kusht që shuma e përgjithshme të mbulojë plotësisht vlerën e kërkuar.
Vlera nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë operatorët. Ajo do të përcaktohet individualisht nga AKM-ja për çdo subjekt, veprimtari dhe vendndodhje, mbi bazën e vlerësimit të rrezikut dhe të preventivit të kostove.
Sipas projektvendimit, shuma e garancisë nuk mund të jetë më e ulët se kostoja e plotë e masave parandaluese, rehabilituese dhe kompensuese që mund të nevojiten për skenarin më të rëndë, por të parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme. Madhësia e kompanisë, forma juridike apo gjendja e saj financiare nuk mund të përdoren si argument për uljen e garancisë.
Në përllogaritje do të merren parasysh lloji dhe përmasat e aktivitetit, teknologjia e përdorur, sasia e substancave ose mbetjeve, mundësia e përhapjes së ndotjes, ndjeshmëria e zonës, masat parandaluese dhe historiku i incidenteve.
Gjithashtu, garancia do të mbulojë kostot e vlerësimit të dëmit dhe të kërcënimit mjedisor, ndërhyrjet parandaluese, kontrollin dhe eliminimin e faktorëve që shkaktojnë ndotjen, rehabilitimin e mjedisit dhe kompensimin kur kthimi në gjendjen e mëparshme është i pamundur. Ajo mund të ekzekutohet edhe për masat që ndërmerren nga AKM-ja ose nga një subjekt i tretë, në rast se operatori nuk vepron vetë.
Nga ana tjetër, garancia mund të ekzekutohet kur operatori nuk merr masat parandaluese ose rehabilituese të kërkuara, nuk paguan kompensimin e vendosur, ose ndodhet në pamundësi financiare, përfshirë rastin kur ndaj tij hapet procedura e falimentimit, thuhet në draft.
Kur garancia mungon, ka përfunduar, është ulur ose nuk plotëson kushtet, AKM-ja do t’i kërkojë operatorit ta plotësojë ose zëvendësojë brenda një afati të arsyeshëm. Në rast se detyrimi nuk përmbushet, Agjencia do të njoftojë inspektoratin mjedisor dhe, sipas rastit, autoritetin përgjegjës për lejen.
Drafti parashikon për operatorët ekzistues parashikohet një periudhë tranzitore. Ata do të duhet të paraqesin pranë AKM-së vlerësimin e rrezikut dhe preventivin e kostove brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit dhe të sigurojnë garancinë e miratuar brenda 12 muajve. Ndërkohë, operatorët e rinj do të duhet ta kenë garancinë përpara nisjes së aktivitetit.
Të gjitha kostot për sigurimin dhe mbajtjen e garancisë do të përballohen nga operatorët. Sipas relacionit, zbatimi i skemës nuk pritet të krijojë shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e përfituara nga ekzekutimi i garancive do të përdoren vetëm për mbulimin e kostove të dëmit në mjedis./ekofin.al
