Shqipëria për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore, po zgjeron bashkëpunimin me vendet aziatike. Brenda vetëm dy ditësh, qeveria shqiptare ka nënshkruar dy memorandume të rëndësishme bashkëpunimi në fushën e punësimit, fillimisht me Vietnamin dhe më pas me Indonezinë, duke synuar krijimin e kanaleve të rregullta dhe të sigurta për rekrutimin e punonjësve të huaj.
Memorandumi më i fundit u nënshkrua në Xhakartë nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe autoritetet indoneziane. Marrëveshja krijon bazat për bashkëpunim në fushën e mobilitetit të fuqisë punëtore, me synim plotësimin e nevojave të tregut shqiptar në sektorët ku mungesa e punonjësve është bërë gjithnjë e më e dukshme.
Sipas ministres Ibrahimaj, marrëveshja do të mundësojë migracion të rregullt, të sigurt dhe të qëndrueshëm për punësim, duke iu përgjigjur kërkesës së ekonomisë shqiptare për fuqi punëtore, veçanërisht në turizëm dhe mikpritje, industri prodhuese, ndërtim dhe sektorë të tjerë me kërkesë të lartë.
Një ditë më parë, ministrja nënshkroi në Vietnam një memorandum të ngjashëm me zëvendësministrin e Brendshëm të Republikës Socialiste të Vietnamit, Vũ Chiến Thắng. Marrëveshja vendos një kuadër institucional për identifikimin e nevojave të tregut të punës, përzgjedhjen, trajnimin, rekrutimin dhe punësimin e qytetarëve vietnamezë në Shqipëri.
Në zbatim të memorandumit me Vietnamin do të hartohet një plan i përbashkët veprimi që do të përcaktojë procedurat e rekrutimit, standardet e trajnimit dhe mekanizmat e monitorimit të marrëveshjes. Gjithashtu, është diskutuar organizimi i një Forumi Ekonomik dhe të Punësimit Shqipëri–Vietnam, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe biznesit të të dy vendeve.
Këto dy marrëveshje vijnë në një moment kur ekonomia shqiptare po përballet me mungesë të ndjeshme të fuqisë punëtore, si pasojë e emigracionit dhe rritjes së kërkesës nga sektorë si turizmi, ndërtimi, prodhimi dhe shërbimet. Bizneset kanë raportuar prej kohësh vështirësi në gjetjen e punonjësve, sidomos gjatë sezonit turistik, duke e kthyer importin e fuqisë punëtore në një nga alternativat kryesore për mbështetjen e aktivitetit ekonomik./ekofin.al
