Pavarësisht përmirësimit ekonomik të dekadës së fundit, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve europianë vijojnë të mos kenë mundësi financiare për të përballuar një pushim vjetor jashtë banesës së tyre.
Të dhënat më të fundit tregojnë se në vitin 2025, rreth 27.5% e popullsisë së Bashkimit Europian mbi moshën 16 vjeç nuk mund të paguante dot një javë pushime larg shtëpisë.
Sipas të dhënave të eurostat, kjo përqindje është rritur lehtë krahasuar me vitin 2024, me 0.5 pikë përqindje, duke reflektuar presionet që kostoja e jetesës, inflacioni dhe rritja e çmimeve të shërbimeve turistike kanë ushtruar mbi buxhetet familjare. Megjithatë, në një perspektivë më afatgjatë, situata paraqitet më pozitive: krahasuar me vitin 2015, numri i personave që nuk mund të përballojnë një javë pushime është ulur me 7.7 pikë përqindje.
Të dhënat tregojnë një ndarje të fortë sociale dhe ekonomike brenda Europës. Në disa vende të Europës Lindore dhe Jugore, pushimet vjetore mbeten një shpenzim i paarritshëm për një pjesë të madhe të familjeve.
Rumania kryeson listën europiane, ku 61.4% e qytetarëve deklarojnë se nuk kanë mundësi financiare për një javë pushime jashtë shtëpisë. Pas saj renditet Greqia me 46.6%, ndërsa Bullgaria dhe Hungaria me nga 39.1% secila.
Këto shifra tregojnë se pavarësisht zhvillimit të sektorit turistik në këto vende, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vendase mbetet jashtë mundësisë për të përfituar nga aktivitetet turistike, duke e kthyer pushimin vjetor nga një e drejtë sociale në një privilegj ekonomik.
Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë vendet me nivelet më të larta të mirëqenies ekonomike, ku pamundësia për të përballuar pushime është shumë më e ulët. Në Luksemburg vetëm 10.6% e qytetarëve raportojnë se nuk mund të paguajnë për një javë pushime larg shtëpisë. Në Suedi kjo shifër është 12.4%, ndërsa në Holandë 12.8%.
Diferenca mes vendeve europiane reflekton jo vetëm nivelin e të ardhurave, por edhe pabarazitë në fuqinë blerëse, kostot e jetesës dhe strukturën e shpenzimeve familjare. Në ekonomitë më të pasura, pushimet vjetore janë tashmë pjesë e konsumit të zakonshëm familjar, ndërsa në vendet me të ardhura më të ulëta ato shpesh shtyhen ose eliminohen përballë nevojave bazë si ushqimi, strehimi dhe energjia.
Rritja e lehtë e këtij treguesi në vitin 2025 tregon se presioni mbi familjet europiane nuk është zhdukur ende. Edhe pse Europa ka reduktuar ndjeshëm numrin e personave që nuk mund të përballojnë pushime krahasuar me një dekadë më parë, diferencat mes veriut dhe jugut, si dhe mes ekonomive të zhvilluara dhe atyre në tranzicion, mbeten të dukshme.
Në një kohë kur turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë të kontinentit, këto të dhëna nxjerrin në pah një paradoks: Europa pret miliona vizitorë çdo vit, por për miliona banorë të saj një javë pushim mbetet ende një shpenzim që nuk mund ta përballojnë./ekofin.al

