Nga Agron Haxhimali
Krijimi pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit i një operatori publik që do t’u ofrojë bashkive shërbime si menaxhimi i mbetjeve, makineri dhe realizim projektesh infrastrukturore etj. nuk është thjesht një vendim teknik apo buxhetor. Është një çështje që prek drejtpërdrejt modelin e decentralizimit dhe vetë kuptimin e autonomisë vendore në Shqipëri.
Sipas informacionit të bërë publik, për këtë ndërhyrje Fondit Shqiptar të Zhvillimit i janë akorduar 6.5 miliardë lekë financim shtesë, ndërsa operatori pritet të marrë përsipër shërbime që, të paktën pjesërisht, lidhen me funksionet e bashkive.
Prandaj pyetja e parë nuk duhet të jetë çfarë do të bëjë operatori?, por pse duhet operatori?
Nëse argumenti është se bashkitë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme teknike, administrative apo financiare për të kryer funksionet e tyre, atëherë përgjigjja institucionale nuk duhet të jetë automatikisht transferimi praktik i këtyre funksioneve drejt një strukture qendrore. Duhet të shpjegohet përse fondet dhe kapacitetet nuk investohen drejtpërdrejt te bashkitë për t’i bërë ato më të afta.
Kjo është edhe logjika e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Parimi i subsidiaritetit kërkon që përgjegjësitë publike, si rregull, të ushtrohen nga autoritetet më pranë qytetarit. Ndërhyrja e një niveli më të lartë duhet të justifikohet nga natyra dhe përmasat e detyrës, si dhe nga kërkesat e eficiencës dhe ekonomisë.
Edhe Ligji nr. 139/2015 ndërton një sistem ku bashkitë kanë funksione të veta dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta për organizimin dhe ofrimin e një sërë shërbimesh publike.
Sigurisht, bashkëpunimi ndërbashkiak, prokurimi i përbashkët, ekonomia e shkallës apo krijimi i strukturave të përbashkëta të shërbimit mund të jenë të dobishme. Një bashki e vogël nuk ka pse të blejë e vetme çdo makineri apo të krijojë çdo kapacitet teknik.
Por ka një ndryshim thelbësor ndërmjet një mekanizmi që bashkitë e krijojnë, përdorin dhe kontrollojnë së bashku dhe një operatori të krijuar e financuar nga qeveria qendrore që fillon të kryejë funksionet për bashkitë.
Pikërisht këtu duhen përgjigje publike për këto pyetje?
Kush e porosit shërbimin? Kush përcakton standardin? Kush kontrollon operatorin? Kush mban përgjegjësi për rezultatin? A mundet bashkia të zgjedhë një alternativë tjetër? Dhe mbi të gjitha: me çfarë analize është provuar se një operator qendror do ta kryejë shërbimin më lirë dhe më mirë sesa vetë bashkitë apo struktura të përbashkëta të krijuara prej tyre?
Centralizimi nuk është sinonim i eficiencës, ashtu sikurse decentralizimi nuk garanton vetvetiu eficiencë. Të dyja duhen provuar me kosto, standarde shërbimi, rezultate dhe llogaridhënie.
Këtu ka edhe një kontradiktë më të madhe politike, institucionale dhe aktuale.Shqipëria është përsëri në diskutimin e Reformës Administrativo-Territoriale 2.0. Në këtë debat flitet vazhdimisht për decentralizim, bashki më të forta, më të mëdha,kapacitete më të mëdha dhe qeverisje më pranë qytetarit. Madje, debati për territorin shpesh zëvendësohet me një gjuhë më të moderuar për “decentralizimin” gjoja ska rëndësi territori.!
Një tjetër paradoks: nëse shërbimet centralizohen, pse duhen më pak bashki? -sipas objektivit të qeverisë.
Krijimi i operatorëve qendrorë ngre edhe një pyetje tjetër që lidhet drejtpërdrejt me Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.
Një nga argumentet që përdoret për reduktimin e numrit të bashkive është nevoja për ekonomi shkalle: njësi më të mëdha, me më shumë popullsi, territor dhe burime, supozohet se mund të organizojnë shërbimet me kosto më të ulët dhe kapacitete më të mëdha.
Por nëse vetë qeveria zgjedh që një pjesë e këtyre shërbimeve, investimeve, pajisjeve apo kapaciteteve teknike ti organizojë përmes operatorëve të centralizuar, atëherë një pjesë e argumentit të ekonomisë së shkallës për bashki gjithnjë e më të mëdha humbet peshë.
Një tjetër pyetje legjitime:Nëse ekonominë e shkallës do ta sigurojë operatori qendror, përse duhet të zvogëlohet edhe numri i bashkive?
Por nëse, paralelisht, funksionet, financimet, investimet dhe instrumentet e ofrimit të shërbimeve zhvendosen gradualisht drejt operatorëve kombëtarë, atëherë duhet të pyesim:Çfarë po decentralizojmë realisht?
Nuk mund të kemi një decentralizim në retorikë dhe një centralizim në instrumentet e qeverisjes në realitet.
Nëse problemi është dobësia e bashkive, reforma duhet të prodhojë bashki më të afta, jo institucione qendrore që ua zëvendësojnë kapacitetin. Nëse problemi është ekonomia e shkallës, mund të ndërtohen mekanizma ndërbashkiakë, operatorë rajonalë apo struktura të përbashkëta në pronësi dhe kontroll të vetë bashkive.
Një operator qendror mund të jetë instrument i dobishëm, por vetëm nëse argumentohet qartë nevoja, subsidiariteti, proporcionaliteti, eficienca, autonomia e bashkive dhe llogaridhënia.
Përndryshe ekziston rreziku që një zgjidhje e paraqitur si teknike dhe efikase të shndërrohet në një hap tjetër drejt centralizimit funksional të pushtetit vendor.
Debati, pra, nuk është nëse bashkitë kanë nevojë për mbështetje. Shumë prej tyre kanë.Debati është si i mbështesim:Duke ua marrë funksionin apo duke ua rritur kapacitetin për ta ushtruar atë?Decentralizimi nuk matet me numrin e funksioneve të shkruara në ligj. Matet me pushtetin, burimet, autonominë dhe aftësinë reale të bashkive për t’i ushtruar ato.
Nuk mund të ecin paralelisht një reformë decentralizimi dhe një reformë centralizimi brenda të njëjtit pushtet.
