Shqipëria regjistroi 9,984 leje pune për shtetas të huaj gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, një tregues i rritjes së rolit që po marrin punonjësit e ardhur nga jashtë në një treg të prekur nga mungesa e fuqisë punëtore.
Numri i lejeve të punës ishte rreth 80% më i lartë se 5,540 ndërmjetësimet dhe punësimet e realizuara për punëkërkuesit e papunë në të njëjtën periudhë, sipas dhënave të Ministrisë së Financave.
Diferenca prej 4,444 rastesh tregon përmasën që ka marrë plotësimi i vendeve të punës me shtetas të huaj krahasuar me rezultatet e shërbimeve publike të punësimit për punëkërkuesit vendas.
Sipas raportit, për lejet e punës, evidencat statistikore e financiare dhe procedurat e tjera administrative u shpenzuan 51 milionë lekë.
Rezultatet mbeten ndjeshëm më të ulëta te programet që synojnë futjen e të rinjve dhe të papunëve në tregun vendas të punës. Nga nisma “Garancia Rinore” përfituan vetëm 354 të rinj gjatë katërmujorit, me një kosto faktike prej 76 milionë lekësh.
Kjo do të thotë se numri i lejeve të punës për të huajt ishte mbi 28 herë më i lartë se numri i të rinjve të përfshirë në Garancinë Rinore. Programi synon t’u ofrojë të rinjve punësim, arsimim ose trajnim profesional, por të dhënat e raportit tregojnë ende një shtrirje të kufizuar të tij.
Në programet e nxitjes së punësimit u përfshinë gjithsej 1,959 të punësuar, me një kosto prej 335 milionë lekësh, ndërsa 2,800 persona përfituan pagesë papunësie, për të cilën u shpenzuan 288 milionë lekë.
Në qendrat e formimit profesional u trajnuan rreth 4,496 persona, me një kosto faktike prej 129 milionë lekësh. Ndërkohë, vetëm 61 kursantë ndoqën programin e formimit profesional për kodim, me një shpenzim prej 6.4 milionë lekësh.
Të dhënat tregojnë se norma zyrtare e papunësisë qëndroi në 8.4% në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa bizneset po përdorin gjithnjë e më shumë rekrutimin nga jashtë për të plotësuar nevojat për personel. /ekofin.al
