Shqipëria vijon të frekuentohet masivisht edhe në muajt e dimrit nga të huajt, ku dominon qëllimi profesional dhe i biznesit me një rritje 90.1%.
Të dhënat e publikuara nga Instat për lëvizjet e shtetasve tregojnë se gjatë muajit Janar 2025, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.158.204 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 12,4 %, krahasuar me Janar 2024.

Të dhënat tregojnë se 1.360.299 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 11,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Janar 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 597.808, duke pësuar një rritje me 10,6 %, krahasuar me Janar 2024.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 560.396. Ky numër është rritur me 14,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Rritje ka shënuar edhe numri i daljeve.
Në muajin Janar 2025, 717.698 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 11,3 %, krahasuar me Janar 2024.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Janar 2025, janë 642.601. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 12,2 %.
Në Janar 2025, 97 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 87 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 4%.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për Pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Janar 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 13,4 %, krahasuar me Janar 2024. Rritje të ndjeshme në muajin Janar kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime Biznesi dhe profesionale, me 90,1 %.

