Çmimi i naftës në tregun vendas ka pësuar një tjetër ulje. Bordi i Transparencës vendosi këtë të shtunë reduktimin me 5 lekë për litër të naftës, duke e çuar çmimin maksimal të shitjes me pakicë në 183 lekë për litër.
Sipas vendimit të marrë më 13 qershor 2026, çmimi i shitjes me shumicë i naftës nuk duhet të jetë më i lartë se 171 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 170 lekësh për litër në pikat e shitjes me pakicë dhe 158 lekë për litër në shitjen me shumicë.
Çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 13 qershor, në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimin e ardhshëm të Bordit të Transparencës.
Autoritetet paralajmëruan operatorët e tregtimit të karburanteve se zbatimi i çmimeve të përcaktuara është i detyrueshëm. Në rast të shkeljeve, do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se çmimet aktuale të karburanteve ndodhen poshtë kufijve të përcaktuar nga Akti Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon uljen e akcizës në 80% vetëm kur çmimi i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose ai i benzinës kalon 200 lekë për litër.
Për shkak se çmimet aktuale janë nën këto nivele, akciza do të vijojë të zbatohet e plotë, në masën 100%.
Ndërkohë, për sektorin e peshkimit, çmimi i gazoilit rezulton 88 lekë për litër, për shkak të përjashtimeve ligjore nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza për anijet e peshkimit.
Ulja e fundit vjen pas luhatjeve të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe pritet të sjellë një lehtësim të moderuar për konsumatorët dhe bizneset që varen nga karburantet.
