Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se ka vendosur një afat të ri për bizneset për të realizuar deklarimin e tatimit mbi fitimin, duke e unifikuar atë me afatin e përcaktuar për dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave për individët, e njohur si DIVA.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Tatimet informojnë bizneset se afati për deklarimin online në sistemin e-filing të deklaratës vjetore për biznesin, DIVA apo deklarata e Tatimit mbi Fitimin 2024, do të ketë afat përfundimtar datën 31 mars 2025.
Gjithashtu, tatimet sqarojnë se nga ky afat përjashtohet Deklarata e Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin për tatimpaguesit me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit, për të cilën, siç informoi Ekofin.al, dita e djeshme, 10 shkurti 2025, ishte afati i fundit për të bërë dorëzimin online.
Mosdeklarimi në afat, si gjithmonë, sjell penalizime me gjoba për bizneset në vend.
Ky vit ka sjellë një sërë ndryshimesh, një pjesë e të cilave ishin të parashikuara në ndryshimet ligjore të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i miratuar në vitin 2023.
Ndryshime ka patur në deklaratën e re të tatimit në burim, në deklaratën e statusit personal dhe listëpagesën e re, si edhe një nga ndryshimet më të rëndësishme është ajo për zgjerimin e kategorive të individëve që do të plotësojnë dhe dorëzojnë DIVA-n, pasi tashmë çdo qytetar me të ardhura tatimore vjetore më shumë se 1.2 milionë lekë në vit bruto, duhet të realizojë një deklarim të tillë. /ekofin.al

