Ёshtë konfirmuar sot nga Zëvendëskryeministrja si dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, se linja nënujore e interkonjeksionit me Italinë do të bëhet realitet. Në punimet e Kongresit të PS-së që po mbahet sot në Tiranë, Balluku bëri të ditur se para pak ditësh është arritur dakordësia me qeverinë italiane dhe operatorët e transmetimit të dy vendeve, përfshirë edhe një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë, Emiratet e Bashkuara, që kanë vendosur të jenë pjesë e projektit tonë.
“Kemi nisur të ngjizim projektin më të rëndësishëm energjetik për dekadën, linjën e transmetimit nënujor mes Shqipërisë dhe Italisë. Unë e di që kundërshtarët tanë mërziten, sepse i kanë trumbetuar këto projekte, si tunelin e Llogorasë, linjën e interkonjeksionit, aeroportin, portet dhe nuk arritën ti bënin kurrë se ishin shumë të zënë me zullumet e tyre”, u shpreh Balluku. Sipas Ballukut, kjo linjë transmetimi që ka nisur ngjizjen, me siguri do të jetë një nga projektet më të suksesshme deri në vitin 2030.
Më tej ajo u fokusua në zhvillimet në infrastrukturë.
“Kemi nisur projekte të shumta që sot janë të dukshme e të prekshme kudo në vendin tonë, duke nisur nga korridoret e rëndësishme të infrastrukturës, që nuk janë thjeshtë rrugë të territorit shqiptar, por janë korridoret paneuropiane, si rasti i korridorit Blu, ku një pjesë e trasesë është e ngritur. Nga ana tjetër të gjitha kontratat që do të vijojnë janë në fazat e avancuara. Gjithashtu pas një pune të fortë për të bindur KE, kemi arritur që Korridori 8 të jetë pjesë e rrjeteve paneuropiane të transportit”, u shpreh zv/kryeministrja.
“Puna në këtë korridor, ka nisur jo vetëm për të ndërtuar autostradat lidhëse, por edhe hekurudhat, që do të jenë mjeti i transportit të së ardhmes. Ndërtohet në të gjithë Shqipërinë, një e ardhme e sigurt, jo si bëhej dikur me rrugë që mbeteshin në ajër, pasi nuk lidheshin me njëra-tjetrën, sepse kishin disnivele. Sot ndërtojmë projekte të mirëstudiuara që mbështesin të gjitha fushat e tjera ekonomike. Duke rritur kapacitetet infrastrukturore të vendit kemi mbështetur sektorin e turizmit, atë të bujqësisë, ekonomisë dhe pa dyshim edhe kulturën”, tha Balluku.
