Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili zhvilloi një vizitë pune në Tiranë nga 28 maji deri më 2 qershor 2026, ka vlerësuar se forcimi i Lekut lidhet me përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare dhe se regjimi i lirë i kursit të këmbimit mbetet i dobishëm për vendin.
Sipas njoftimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë pas përfundimit të vizitës së misionit të kryesuar nga Diego Cerdeiro, përfaqësuesit e FMN-së u njohën me kuadrin e përdorur nga banka qendrore për menaxhimin e kursit të këmbimit dhe të rezervës valutore.
“Në lidhje me kursin e këmbimit dhe rezervën valutore, misioni i FMN-së konfirmoi se forcimi i Lekut është një fenomen i përcaktuar nga përmirësimet strukturore në ekonominë reale dhe një regjim i lirë i kursit të këmbimit është i dobishëm dhe sjell përfitime për ekonominë shqiptare”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Vlerësimi vjen në një kohë kur debati mbi kursin e këmbimit vijon të mbetet i pranishëm, veçanërisht për shkak të ndikimit që një Lek më i fortë ka tek eksportuesit dhe sektorët që sigurojnë të ardhura në valutë.
Gjatë takimeve me misionin e FMN-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë performancë pozitive, me rritje ekonomike, zgjerim të punësimit dhe rritje të pagave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan gjithashtu qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, të mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe kushtet e favorshme financiare.
Në njoftim thuhet se misioni ka vlerësuar si të përshtatshëm qëndrimin e politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke e konsideruar atë të orientuar drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve. Po ashtu, FMN ka vlerësuar analizat dhe parashikimet e institucionit lidhur me inflacionin dhe zhvillimet ekonomike.
Sa i takon sektorit bankar, misioni ka konstatuar se sistemi bankar shqiptar mbetet i qëndrueshëm, me tregues të fortë kapitalizimi dhe likuiditeti, cilësi të mirë të portofolit të kredisë dhe performancë të kënaqshme financiare.
Vizita e FMN-së u përmbyll me diskutime mbi sfidat afatgjata të ekonomisë shqiptare, përfshirë zhvillimet demografike, produktivitetin dhe procesin e integrimit evropian, ndërsa Banka e Shqipërisë rikonfirmoi angazhimin e saj për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.
