Shqipëria rezulton ndër vendet e pakta në Ballkanin Perëndimor që rriti investimet e huaja direkte gjatë vitit 2025, në një kohë kur pjesa më e madhe e rajonit dhe ekonomive të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore po përballen me rënie të fortë të flukseve të kapitalit të huaj. Kjo vlerësohet nga raporti më i fundit i Institutit të Vjenës mbi investimet e huaja direkte në rajonin CESEE.
Shqipëria mes pak vendeve me rritje të investimeve të huaja
Raporti evidenton se në Ballkanin Perëndimor investimet e huaja direkte ranë mesatarisht me 23% gjatë vitit 2025, ndërsa në disa vende tkurrja ishte shumë më e fortë. Maqedonia e Veriut regjistroi rënien më të madhe, me 61% më pak investime krahasuar me një vit më parë, ndërsa Bosnja dhe Serbia gjithashtu shënuan dobësim të ndjeshëm të flukseve hyrëse.
Në këtë panoramë negative, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi rezultojnë përjashtimet kryesore. Raporti thekson se Shqipëria arriti të rrisë investimet e huaja gjatë vitit të kaluar, duke u renditur ndër ekonomitë me performancën më të mirë në rajon për nga tërheqja e kapitalit të huaj.
Shqipëria regjistroi rreth 1.6 miliardë euro investime të huaja direkte në vitin 2025, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2024.
Në krahasim rajonal, Shqipëria rezulton ekonomia e dytë më e madhe në Ballkanin Perëndimor për nga fluksi i investimeve të huaja, pas Serbisë, e cila tërhoqi rreth 3.4 miliardë euro në vitin 2025. Pas Shqipërisë renditet Kosova me rreth 1.1 miliardë euro, ndërsa Mali i Zi me rreth 600 milionë euro. Maqedonia e Veriut rezulton ndër goditjet më të forta në rajon, me investime që ranë në rreth 400 milionë euro nga mbi 1 miliard euro një vit më parë.
Investimet e huaja në Shqipëri mbeten të larta edhe ndaj ekonomisë
Një tjetër tregues ku Shqipëria rezulton mbi mesataren rajonale është pesha e investimeve të huaja ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Raporti tregon se në Ballkanin Perëndimor investimet e huaja përbënin mesatarisht 5.3% të PBB-së në vitin 2025, shumë më lart se mesatarja prej vetëm 1.7% në vendet anëtare të BE-së në Europën Qendrore dhe Lindore.
Nga të dhënat e krahasuara, Shqipëria renditet ndër ekonomitë me peshën më të lartë të investimeve të huaja ndaj PBB-së në rajon, së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi.
Kjo tregon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet shumë e varur nga kapitali i huaj për rritjen ekonomike, ndërtimin, energjinë, turizmin dhe sektorët e tjerë kryesorë.
Sinjale negative për vitin 2026
Megjithatë, raporti jep sinjale paralajmëruese për Shqipërinë dhe rajonin në lidhje me vitin 2026. Të dhënat për projektet e reja të gjelbra“greenfield”, që konsiderohen si tregues i besimit të investitorëve, tregojnë përkeqësim të fortë të klimës së investimeve.
Sipas raportit, në tremujorin e parë të vitit 2026 Shqipëria rezulton mes vendeve ku nuk është shpallur asnjë projekt i ri greenfield. E njëjta situatë evidentohet edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Në nivel rajonal, numri i projekteve greenfield në Ballkanin Perëndimor ra me 65% në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Raporti paralajmëron se pasiguria globale, lufta në Lindjen e Mesme dhe tensionet gjeopolitike po i bëjnë investitorët më të kujdesshëm ndaj rajonit.
Energjia e rinovueshme mbetet një nga sektorët më premtues
Pavarësisht rënies së përgjithshme të investimeve, raporti evidenton se energjia e rinovueshme vazhdon të tërheqë interes në rajon. Numri i projekteve greenfield në energjinë e rinovueshme u rrit me 11% gjatë vitit 2025 dhe sektori përbënte 10% të totalit të projekteve të reja të investimit në rajon. Investimet në energji të rinovueshme përfaqësuan gjithashtu 20% të totalit të kapitalit të premtuar për projekte greenfield në rajon gjatë vitit 2025.
Për Shqipërinë, kjo mund të përkthehet në vazhdim të interesit për projekte në energjinë diellore, hidrocentrale dhe sektorë të lidhur me tranzicionin energjetik, të cilët kanë qenë ndër burimet kryesore të investimeve të huaja në vitet e fundit. /ekofin.al

