Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se, “Buxheti 2024 parashikon më shumë investime dhe mbështetje për sektorin e shëndetësisë. Fillimin e punës në kantierët e rinj për rikonstruksionin e një pjese të spitaleve në vend. Rikonstruksionin e plotë brenda vitit 2024 të 60 qendrave shëndetësore. Mbështesim kontrollin bazë falas për të gjithë qytetarët nga 35-70 vjeç dhe rimbursimin e barnave për mbi 400 mijë pacientë.”
Sipas Ministres, ky buxhet mbështet direkt 360 mijë pacientë për trajtim në spitalet universitare, rajonale dhe ato bashkiake gjatë vitit të ardhshëm.Gjithashtu, vijoi ajo, trajtimin e rreth 10 mijë pacientëve me paketën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë.
Më tej Koçiu sqaroi se, “me buxhetin 2024 vazhdojmë rritjen e pagave duke mbështetur 18 mijë mjekë të përgjithshëm, infermierë dhe teknikë të shkencave mjekësore; mbështesim financiarisht 165 mijë individë me aftësi të kufizuara, kujdestarë e invalidë pune nëpërmjet skemës së Aftësisë së Kufizuar; Bonusin e bebes me një vlerë financimi prej 2.2 miliardë lekësh dhe mbi 8 mijë gra kryefamiljare me 3 ose më shumë fëmijë përfitojnë nga skemat e Mbrojtjes Sociale”. “Institucionet e përkujdesit social financohen me një vlerë rreth 1.3 miliardë lekë, të cilat shkojnë për foshnjat dhe fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar dhe përfitues të tjerë në institucionet që MSHMS mbështet financiarisht”, deklaroi ministrja Koçiu.
