Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, institucioni më i madh shëndetësor në vend, vijon të përballet me lëvizje të shpeshta në drejtim, duke ngritur pikëpyetje mbi stabilitetin menaxherial të spitalit që trajton mijëra pacientë çdo ditë.
Këtë të hënë, QSUT prezantoi zyrtarisht Drejtuesen e re të Përgjithshme, Rudina Degjoni, e cila merr drejtimin e institucionit pas largimit nga detyra të Anxhela Paparizos. Ajo ka qenë më herët drejtuese e spitalit Memorial në Fier.
Sipas njoftimit zyrtar, Degjoni vjen në krye të QSUT-së me një eksperiencë të gjatë në drejtim dhe menaxhim spitalor, ndërsa autoritetet shëndetësore vlerësojnë se përvoja e saj do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve menaxheriale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, thuhet në njoftim.
Ndërkohë mungon një analizë mbi shkaqet e largimit të Paparizos.
Megjithatë, ndryshimi i radhës në krye të QSUT-së rikthen në vëmendje mungesën e vazhdimësisë në drejtimin e institucionit. Anxhela Paparizo ishte emëruar Drejtoreshë e Përgjithshme në shtator të vitit 2025, por mandati i saj zgjati vetëm tetë muaj.
Ndryshimet e shpeshta në drejtimin e QSUT-së vijnë në një periudhë kur sistemi publik shëndetësor përballet me sfida të shumta, duke nisur nga mungesa e barnave dhe pajisjeve në disa shërbime spitalore, e deri te nevoja për investime në infrastrukturë dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore.
Në veçanti, gjatë muajve të fundit nuk kanë munguar denoncimet e pacientëve dhe mjekëve për mungesa të terapive në disa pavijone, sidomos në shërbimet onkologjike, ndërsa QSUT mbetet institucioni ku përqendrohet pjesa më e madhe e rasteve të komplikuara nga i gjithë vendi.
Pikërisht për këtë arsye, stabiliteti në drejtim konsiderohet një element kyç për garantimin e reformave afatgjata dhe përmirësimin e shërbimeve. Ndryshimi i njëpasnjëshëm i drejtuesve ka bërë që QSUT të mos arrijë të krijojë një vijueshmëri të qartë në politikat e menaxhimit, ndërsa çdo drejtues i ri nis praktikisht një cikël të ri administrimi.
Mbetet për t’u parë nëse Rudina Degjoni do të arrijë të sjellë stabilitetin e munguar në institucionin më të madh spitalor në Shqipëri, në një kohë kur pritshmëritë e pacientëve dhe sfidat e sistemit shëndetësor mbeten më të larta se kurrë. /ekofin.al
