Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit publik dhe kritikave që kanë shoqëruar projektin e investimit në Zvërnec, pas përplasjeve dhe kundërshtive të shfaqura së fundmi.
Rama deklaroi se debatet dhe kundërshtitë e fundit lidhur me projektin e investimit në Zvërnec e kanë bërë të mendojë për herë të parë largimin nga drejtimi i vendit.
“Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes? Dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj për mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë, që janë mbushur sot me kauzën tuaj? Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet tradhtari, shitësi i atdheut dhe ai është kryeministri juaj?
Thënë këto, dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase emocional, por kjo është ndjesia ime. Për mua këto janë ditë të habitshme, që për herë të parë më kanë bërë të mendoj që t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe t’ju lë në duar që do të zgjidhni vetë për ta mbrojtur Shqipërinë nga të huajt.
Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua sa ju dhe siç e doni ju.”
Rama ka reaguar lidhur me ndaj qeverisë, pas përplasjeve në Zvërnec.
Rama tha se ka duruar sulmet dhe kritikat që, sipas tij, janë shtuar në rrjetet sociale, ndërsa theksoi se mban përgjegjësinë e mandatit që i është dhënë nga qytetarët. Ai u shpreh se vizioni i qeverisë mbetet zhvillimi i Shqipërisë dhe rritja e investimeve, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Rama: Baltën e kam duruar dhe e duroj sepse këtë mision e mbaj përsipër në emrin tuaj, që më keni dhënë votën dhe sot i është bashkuar zemëratës në rrjetet sociale duke më treguar mua me gisht si prurësin e një fatkeqësie të madhe. Për çfarë më duhet mua karrigia, pushteti, nëse më duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite, duke e nisur nga Shqipëria e 2 mln turistëve, ku edhe paraardhësi im numërohej si turist, të heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që mos të ketë zili askënd. Për çfarë më duhet mua pushteti dhe karrigia, që të qetësoheni ju? Dhe që pastaj nesër të vazhdoni jetën tuaj normalisht dhe pasnesër në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm që përgatitet atje, të bëhet copëtimi i radhës.
Golemi i radhës? Se ju do rroni më shumë se unë dhe do shikoni se aftësia dhe kurajoja për ta rikthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme po t’i bjerë prap në dorë Shqipëria. Të heq dorë nga vizioni dhe ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që nuk ka frikë të hyjë në ligën e kampionëve të turizmit global dhe të rri këtu në karrige dhe të bëj sikur udhëheq një vend që trembet nga sfidat e mëdha të investimeve të kësaj lige. Një vend që nuk ka frikë të përballet me rritjen e vet. Nuk është më Shqipëria ku nuk afrohej asnjë investitor, është Shqipëria ku të gjithë investitorët duan të vijnë, është Shqipëria e 12 milionë turistëve.
