Franca do të mbulojë kostot e ilaçeve për humbjen e peshës duke nisur nga 15 qershori, sipas ministres franceze të Shëndetësisë.
Franca do të nisë rimbursimin e ilaçeve për dobësim si Wegovy dhe Mounjaro duke filluar nga 15 qershori, njoftoi të enjten ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist.
Me këtë vendim, Franca bëhet vendi i parë në Europë që mbulon kostot e këtyre llojeve të ilaçeve.
“Jam mjaft krenare, sepse jemi vendi i parë në Bashkimin Europian që ofron rimbursim në mënyrë standarde dhe të përhershme,” deklaroi Rist në televizionin francez.
“Zyrtarisht, rimbursimi do të jetë 65%, por praktikisht pothuajse të gjithë pacientët do të mbulohen plotësisht sepse kanë sëmundje shoqëruese, si hipertensioni ose diabeti,” sqaroi ministrja, duke shtuar se për shumicën dërrmuese të pacientëve rimbursimi do të jetë 100%.
Wegovy, i prodhuar nga gjiganti danez farmaceutik Novo Nordisk, dhe Mounjaro i kompanisë Eli Lilly janë pjesë e një gjenerate të re ilaçesh për humbjen e peshës.
Të njohura si agonistë të receptorëve GLP-1 (glucagon-like peptide-1), këto ilaçe ndihmojnë njerëzit të humbin peshë duke imituar një hormon që redukton oreksin.
Sipas vlerësimeve, deri në fund të janarit më shumë se 70,000 pacientë në Francë po trajtoheshin me Mounjaro.
Çmimet e larta kanë qenë prej kohësh një problem për aksesin në këto terapi në mbarë botën, përfshirë Francën, ku pacientët paguajnë rreth 300 euro në muaj për injeksionet.
Terapia është e disponueshme në Francë me recetë që nga viti 2024, por deri tani nuk ishte miratuar për rimbursim nga sistemi kombëtar i sigurimeve shëndetësore.
Në qershor 2025, Franca lejoi që këto ilaçe të përshkruheshin nga të gjithë mjekët dhe jo vetëm nga specialistë si endokrinologët.
Sipas Anketës Kombëtare Epidemiologjike për Mbipeshën dhe Obezitetin të vitit 2024, rreth 18% e popullsisë franceze, ose afro 10 milionë njerëz, janë obezë.
Në Bashkimin Europian vlerësohet se 51% e popullsisë mbi 16 vjeç është mbipeshë dhe 17% është obeze, sipas të dhënave të Parlamentit Europian./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
