Ditën e sotme Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete mori pjesë në ceremoninë e dhënies së 92 kredive për punonjësit e Policisë së Shtetit për përfitim banese. Në këtë aktivitet ishin ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtues të Policisë së Shtetit dhe Entit Kombëtar të Banesave.
Ministri Mete u shpreh se ky hap vjen si zbatim i politikave të ndërmarra nga qeveria për strehimin social për disa kategori të caktuara, ku subvencionimi i interesave të kredive do të mundësohet përmes buxhetit të shtetit. Ministri nënvizoi se programi i strehimit me kushte lehtësuese do të vijojë edhe vitin e ardhshëm, ku në projektbuxhetin e vitit 2024 është parashikuar të akordohet një fond prej 100 milionë lekësh.
Më tej, Mete shtoi se qeveria do të vijojë mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për administratën publike në tërësi, siç është ajo që lidhet me rritjen e pagave.
“Reforma e rritjes së pagave, e nisur gjatë këtij viti, do të vijojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm. Duke nisur nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje domethënëse të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, si edhe për një sërë kategorish të tjera, për mjekët, infermierët, ushtarakët, si dhe për punonjës të tjerë të administratës publike. Përmes rritjes së programuar për vitin e ardhshëm, niveli i pagës mesatare do të arrijë 900 euro, në mbështetje të punësimit cilësor dhe rritjes së konkurrueshmërisë me vendet e rajonit”, u shpreh ai.
