Ndërsa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten formalisht në rrugën e integrimit europian, Serbia po ndjek një strategji krejt tjetër nga fqinjët e saj: nuk po zgjedh ekskluzivisht Brukselin, por po luan paralelisht me Bashkimin Europian, Kinën dhe Rusinë. Dhe deri tani, rezultatet ekonomike tregojnë se Beogradi mund të jetë përfituesi më i madh i kësaj qasjeje shumëkahëshe.
Vizita më e fundit e presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Kinë dhe marrëveshjet e reja të nënshkruara me presidentin Xi Jinping konfirmojnë se Serbia nuk po e sheh më Kinën thjesht si një partner dytësor, por si një shtyllë të rëndësishme të modelit të saj ekonomik dhe industrial.
Mbi 20 marrëveshje të reja bashkëpunimi në tregti, teknologji, inteligjencë artificiale, ekonomi digjitale dhe industri të avancuar u firmosën gjatë vizitës, ndërsa investimet kineze në Serbi kanë kaluar tashmë 7.2 miliardë euro. Në total, projektet infrastrukturore dhe ekonomike kineze në vend vlerësohen mbi 14 miliardë euro. Ndërsa investimet më të funfit vlerësohen në 853 milionë euro.
Në pak vite, Serbia ka arritur të transformojë marrëdhënien me Kinën nga ndërtimi i rrugëve dhe urave në një partneritet industrial dhe teknologjik. Kompani si Zijin, HBIS, Linglong, Minth apo Yanfeng kanë hyrë thellë në sektorët strategjikë serbë: miniera, çelik, goma, komponentë automobilistikë dhe tani edhe robotikë e inteligjencë artificiale.
Ndërkohë, Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të forta energjetike dhe politike me Rusinë, veçanërisht në sektorin e gazit, ndërsa paralelisht negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe përfiton fonde, akses tregtar dhe mbështetje financiare nga Brukseli.
Në praktikë, Beogradi po përfiton nga të treja drejtimet: kapitalin dhe teknologjinë kineze, energjinë dhe mbështetjen strategjike ruse, si dhe tregun dhe fondet europiane.
Kjo është arsyeja pse Serbia po shfaqet gjithnjë e më shumë si ekonomia më pragmatike e rajonit. Ndryshe nga vendet që kanë zgjedhur të pozicionohen qartësisht vetëm në një kamp gjeopolitik, Serbia po ndjek një diplomaci ekonomike fleksibël, ku interesi ekonomik vendoset mbi pozicionimin ideologjik.
Në këtë panoramë, kontrasti me Shqipërinë bëhet edhe më i fortë.
Tirana ka mbajtur prej vitesh një linjë tërësisht proeuropiane dhe pro-perëndimore, shpesh duke u rreshtuar politikisht pa ekuivok me Brukselin dhe Uashingtonin. Por përtej avancimit formal në procesin e integrimit dhe disa fondeve europiane, Shqipëria nuk ka arritur të tërheqë investime industriale transformuese në përmasat që po përfiton Serbia.
Ndërsa Serbia po ndërton fabrika çeliku, impiante gomash, kapacitete përpunimi metalesh dhe po hyn në sektorin e robotikës, ekonomia shqiptare vijon të mbështetet kryesisht tek ndërtimi, turizmi dhe shërbimet, pa krijuar një bazë të fortë industriale apo teknologjike.
Në terma ekonomikë, diferenca po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Serbia po tërheq prodhim, teknologji dhe eksporte me vlerë të shtuar, ndërsa Shqipëria vazhdon të mbetet kryesisht një treg konsumator dhe një ekonomi periferike e shërbimeve.
Kjo nuk do të thotë se modeli serb është pa kosto apo pa rreziqe politike. Balancimi mes Kinës, Rusisë dhe Bashkimit Europian kërkon një lojë të vazhdueshme diplomatike dhe ekspozon Beogradin ndaj presioneve nga të gjitha palët. Por deri tani, Serbia ka arritur ta përdorë këtë pozicion për të maksimizuar interesin e saj ekonomik.
Në Ballkanin Perëndimor, ku të gjitha vendet mbeten kandidate për në Bashkimin Europian, Serbia po demonstron se procesi i integrimit nuk e përjashton ndërtimin paralel të partneriteteve ekonomike globale.
Dhe pikërisht këtu lind debati edhe për Shqipërinë: a ka përfituar realisht ekonomia shqiptare nga besnikëria absolute ndaj kursit europian, apo vendi ka marrë më shumë premtime dhe “thërrime” financiare sesa investime të mëdha transformuese që ndryshojnë strukturën e ekonomisë?
Ndërsa Serbia po hyn në fazën e prodhimit industrial dhe teknologjisë së avancuar, Shqipëria ende nuk ka ndërtuar një strategji të qartë se si do të tërheqë kapital produktiv, industri dhe teknologji që krijojnë eksport, punësim të kualifikuar dhe zhvillim afatgjatë.
Në fund, diferenca mund të mos përcaktohet nga retorika politike apo nga deklaratat për integrimin europian, por nga një pyetje shumë më konkrete: cili vend po arrin të ndërtojë ekonomi më të fortë dhe më konkurruese? /ekofin.al
