Java mesatare e punës në Bashkimin Evropian vijoi të tkurret gjatë vitit 2025, ndërsa vendet e Evropës Veriore mbeten ato me orët më të ulëta të punës, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Sipas statistikave, orët aktuale javore të punës për punonjësit me kohë të plotë dhe të pjesshme, të grupmoshës 20-64 vjeç, arritën mesatarisht në 35.9 orë në javë në vitin 2025, nga 36.9 orë në vitin 2015.
Vendi me javën më të gjatë të punës në Bashkimin Evropian rezultoi Greqia me 39.6 orë në javë. Pas saj renditen Bullgaria dhe Polonia me nga 38.7 orë, si edhe Lituania me 38.4 orë.
Në anën tjetër, Holanda kishte javën më të shkurtër të punës në BE me 31.9 orë në javë, e ndjekur nga Danimarka dhe Gjermania me nga 33.9 orë, si dhe Austria me 34 orë.
Sipas Eurostat, profesionet me javën më të gjatë të punës në Bashkimin Europian janë punëtorët e kualifikuar në bujqësi, pylltari dhe peshkim me 42 orë pune në javë, menaxherët me 40.6 orë dhe forcat e armatosura me 39.4 orë.
Ndërkohë, javët më të shkurtra të punës u regjistruan tek profesionet bazë me 31.8 orë, punonjësit administrativë me 34 orë dhe punonjësit e shërbimeve dhe shitjeve me 34.5 orë në javë.
Të dhënat tregojnë se 37.6% e të punësuarve në Bashkimin Evropian punuan mesatarisht 40 deri në 44.5 orë në javë gjatë vitit 2025. Ndërkohë, 16.4% punuan 35 deri në 39.5 orë, ndërsa 5.8% raportuan 50 orë ose më shumë pune në javë.
Përqindjen më të lartë të punonjësve që punojnë 40 deri në 44.5 orë në javë e kishte Bullgaria me 82.8%, e ndjekur nga Letonia me 77.1% dhe Rumania me 75.5%.
Në Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë dhe Irlandë, pjesa më e madhe e të punësuarve punuan mesatarisht 35 deri në 39.5 orë në javë.
Raporti evidenton gjithashtu diferenca mes të vetëpunësuarve dhe punëmarrësve. Tek të vetëpunësuarit, 32.2% punuan 40 deri në 44.5 orë në javë dhe po aq, 32.2%, punuan 45 orë ose më shumë. Tek punëmarrësit, vetëm 6.4% punuan mbi 45 orë në javë.
Diferenca mes burrave dhe grave në statistika
Në vitin 2025, burrat e punësuar me kohë të plotë në BE punuan mesatarisht 39.4 orë në javë, ndërsa gratë 37.6 orë.
Për gratë, javët më të gjata të punës u regjistruan në Slloveni me 39.2 orë, Lituani me 39.1 orë dhe Letoni e Poloni me nga 38.9 orë.
Ndërkohë, gratë në Holandë punuan mesatarisht vetëm 35 orë në javë, në Finlandë 35.6 orë, në Irlandë 35.9 orë dhe në Belgjikë 36.4 orë.
Për burrat, vetëm katër vende të Bashkimit Europian regjistruan javë pune me 40 orë ose më shumë në vitin 2025: Greqia me 41.8 orë, Polonia me 40.6 orë, Sllovenia me 40.2 orë dhe Qipro me 40 orë.
Diferencat më të mëdha mes burrave dhe grave u regjistruan në Irlandë, ku burrat punuan 39.9 orë në javë kundrejt 35.9 orëve për gratë, në Holandë me 38.4 kundrejt 35 orëve dhe në Greqi me 41.8 kundrejt 38.8 orëve.
Edhe pse Shqipëria nuk përfshihet në këtë statistikë të Eurostat, Kodi i Punës parashikon një javë standarde pune prej 40 orësh, të shpërndarë zakonisht në 5 ditë pune.
Megjithatë, raportime dhe statistika të publikuara nga media dhe organizata ndërkombëtare tregojnë se shqiptarët punojnë më shumë se mesatarja europiane. Sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT dhe të cituara në media gjatë vitit 2025, java mesatare e punës në Shqipëri llogaritet rreth 41.3 deri në 43.7 orë në javë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 35.9 orësh.
Raportet tregojnë se sektorët me orët më të gjata të punës në Shqipëri janë prodhimi, ndërtimi, tregtia, transporti dhe turizmi, ku java e punës arrin deri në 45-46 orë./ekofin.al

