Çmimet e karburanteve në vend kanë pësuar një tjetër ulje në mbledhjen e fundit të Bordit të Transparencës, duke zbritur edhe më tej krahasuar me vendimin e datës 23 maj.
Sipas vendimit të ri të marrë më 27 maj 2026, çmimi tavan i naftës është ulur në 190 lekë për litër nga 195 lekë/litër që ishte vendosur katër ditë më parë. Ndërkohë, benzina është ulur në 179 lekë/litër nga 182 lekë/litër.
Edhe çmimet me shumicë kanë pësuar rënie. Gazoili do të tregtohet me shumicë deri në 178 lekë/litër, nga 183 lekë/litër më 23 maj, ndërsa benzina me shumicë në 167 lekë/litër, nga 170 lekë/litër.
Bordi njoftoi se çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 27 maj, në orën 13:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme.
Me këtë ulje, çmimet e karburanteve vijojnë trendin rënës të javëve të fundit, duke reflektuar luhatjet në bursat ndërkombëtare të naftës. Në të njëjtën kohë, niveli i akcizës rikthehet në 100%, pasi çmimet kanë zbritur poshtë pragjeve të përcaktuara në Aktin Normativ nr.1 të datës 3 prill 2026.
