Administrata Tatimore ka publikuar formularët zyrtarë që do të përdoren për aplikimin në kuadër të Marrëveshjes së Paqes Fiskale 2026, si edhe për procedurat e rideklarimit dhe rivlerësimit të elementeve të pasqyrave financiare.
Publikimi i formularëve konkretizon zbatimin praktik të ligjit për Paqen Fiskale dhe hap rrugën për aplikimet online të bizneseve në sistemin “e-filing”, brenda afatit nga 15 maji deri më 5 qershor 2026.

Sipas udhëzimit të Administratës Tatimore, subjektet që plotësojnë kriteret ligjore duhet të ngarkojnë në “e-filing” formularin e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale, së bashku me dokumentacionin shoqërues, përfshirë vërtetimet nga Prokuroria, dëshmitë e penalitetit dhe vetëdeklarimet e kërkuara nga ligji.
Një nga elementët më të rëndësishëm të procedurës është edhe formulari për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore. Ky formular do të përdoret nga bizneset që zgjedhin të korrigjojnë ose rivlerësojnë deklarimet financiare të viteve të mëparshme në kuadër të marrëveshjes.

Sipas rregullave të publikuara, pas lidhjes së marrëveshjes së Paqes Fiskale, subjektet që deklarojnë rideklarim të pasqyrave financiare duhet, deri më 30 qershor 2026, të kryejnë pagesën e tatimeve përkatëse, të dorëzojnë pasqyrat financiare të korrigjuara dhe të paraqesin sqarimet për ndryshimet e reflektuara në zërat financiarë.
E drejta për të aplikuar u takon tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri, kanë realizuar mbi 14 milionë lekë të ardhura bruto në vitin paraardhës dhe nuk kanë detyrime të papaguara, procese ankimi administrativ apo procedime penale në fushën tatimore.
Administrata Tatimore thekson se vendimmarrja për aplikimet do të komunikohet elektronikisht brenda 5 ditëve kalendarike, ndërsa aplikimet pas datës 5 qershor 2026 nuk do të pranohen. /ekofin.al
Shtojca nr.1 Formular aplikimi për Marrëveshjen e Paqes Fiskale
Shtojca nr.2 Formular aplikimi për rideklarimin e pasqyrave financiare
