Totali i detyrimeve të prapambetura iu kthye rritjes në 3-mujorin e parë të vitit 2026, pasi kishte zbritur ndjeshëm në fund të vitit të kaluar. Sipas të dhënave deryrimet totale arritën në rreth 6.93 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundvitin 2025.
Sipas Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura të bashkive në mars 2026 rezulton në rreth 3.15 miliardë, me rritje të lehtë krahasuar me fundvitin 2025, i cili u mbyll me 2.9 miliardë lekë detyrime.
Edhe pse, në korrik të vitit 2025 Ministria e Financave u kërkoi zyrtarisht njësive vendore të hartonin dhe zbatonin një kalendar të detyrueshëm për shlyerjen graduale të detyrimeve të prapambetura, bashkitë nuk arritën të shlyenin detyrimet as në fund të vitit të kaluar dhe as në tremujorin e parë të vitit 2026.
Sipas kërkesës së Ministrisë, bashkitë duhet të merrnin masa për disiplinë më të fortë financiare, të shmangnin krijimin e borxheve të reja dhe të përdornin një pjesë të të ardhurave për shlyerjen e detyrimeve ekzistuese.
Megjithatë, të dhënat e fundit nga Ministria tregojnë se në disa bashki procesi nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Një pjesë e tyre jo vetëm që nuk i kanë ulur detyrimet, por kanë regjistruar edhe rritje të stokut të borxhit deri në mars 2026.
Nga analiza e të dhënave rezulton se pesë bashkitë me nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura në mars 2026 janë:
Bashkia Kavajë me rreth 816 milionë lekë nga 755 milionë lekë në fund të vitit 2025, Bashkia Pogradec me rreth 262 milionë lekë nga 220 milionë lekë fundvitin e kaluar, Bashkia Vorë me rreth 181 milionë lekë, edhe pse me një reduktim të lehtë krahasur me fundvitin e kaluar kur detyrimi rezulton në rreth 185 milionë lekë, Bashkia Tiranë me rreth 179 milionë lekë detyrime, me rritje nga fundviti 2025, kur ky stok kapte shifrën 133 milionë lekë, si edhe Bashkia Dimal me rreth 150 mililonë lekë detyrime në mars 2026.
Këto shifra tregojnë se barra më e madhe e detyrimeve është përqendruar në disa njësi vendore, ndërsa bashkitë e tjera paraqiten me nivele më të ulëta borxhesh.

Nga analiza e kategorive rezulton se peshën më të madhe të detyrimeve të prapambetura të qeverisjes vendore deri në mars 2026 e mbajnë investimet, me mbi 1 miliardë lekë, duke përbërë zërin kryesor të detyrimeve. Pas tyre renditen zërat “të tjera” me 718.1 milionë lekë, ku në këtë zë pëfshihen detyrime si energjia elektrike, paga, shpronësime, transferta për individët, transferta për subjektet, etj.
Gjithashtu shërbimet mbajnë një peshë të konsiderueshme me 629.5 milionë lekë dhe vendimet gjyqësore me 301 milionë lekë. /ekofin.al

