Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim të ri që synon të vendosë rregulla të detajuara për administrimin e venddepozitimeve të përkohshme të mbetjeve inerte, në një kohë kur mungesa e landfilleve rajonale funksionale vijon të mbetet problem për sektorin e ndërtimit dhe menaxhimin e mbetjeve në vend.
Sipas draftit, venddepozitimet e përkohshme do të lejohen vetëm si zgjidhje tranzitore deri në ndërtimin dhe vënien në funksion të infrastrukturës përfundimtare rajonale për mbetjet inerte. Dokumenti thekson se këto hapësira nuk do të konsiderohen landfille në kuptimin klasik të ligjit për menaxhimin e mbetjeve, por një regjim të përkohshëm dhe të kontrolluar nga shteti.
Projektvendimi vjen në kushtet kur, sipas relacionit shpjegues, depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve nga ndërtimi dhe prishjet po krijon probleme serioze mjedisore dhe urbane, duke ndotur tokën, ujërat sipërfaqësore dhe peizazhin natyror. Ministria e Mjedisit argumenton se mungesa e infrastrukturës rajonale ka krijuar një boshllëk rregullator që kërkon ndërhyrje urgjente.
Drafti përcakton kushte të forta teknike dhe mjedisore për ngritjen e këtyre venddepozitimeve. Ato nuk mund të ndërtohen pranë zonave të mbrojtura, zonave turistike apo burimeve ujore. Konkretisht, kërkohet distancë minimale 300 metra nga puset dhe burimet ujore, si dhe 100 metra nga lumenjtë, përrenjtë apo ligatinat.
Në këto hapësira do të lejohen vetëm mbetje inerte, si beton, tulla, gurë, materiale ndërtimi dhe mbetje nga prishjet, ndërsa ndalohet depozitimi i mbetjeve të rrezikshme, mbetjeve urbane, azbestit, baterive, pajisjeve elektronike apo materialeve të djegshme.
Projektvendimi parashikon krijimin e një sistemi të detyrueshëm gjurmueshmërie. Çdo ngarkesë mbetjesh duhet të shoqërohet me dokument transferimi që identifikon origjinën, llojin, sasinë dhe transportuesin e mbetjeve, ndërsa operatorët do të mbajnë regjistra ditorë dhe mujorë për mbetjet e pranuara dhe të refuzuara.
Projektakti parashikon që venddepozitimet e përkohshme të miratohen fillimisht për një periudhë deri në 3 vjet, me mundësi zgjatjeje vetëm një herë dhe maksimumi edhe për 2 vite të tjera, në rast se landfill-et rajonale nuk janë ende funksionale për shkaqe objektive.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me rikuperimin dhe riciklimin e mbetjeve. Drafti vendos një kuotë minimale rikuperimi prej 45% të mbetjeve inerte, të cilat duhet të përdoren si materiale mbushëse, materiale ndërtimi sekondare apo për qëllime të tjera rikuperimi. Sipas relacionit, kjo qasje synon afrimin gradual me objektivin e Bashkimit Europian për rikuperimin e 70% të mbetjeve të ndërtimit dhe prishjes.
Drafti përcakton gjithashtu që operatorët do të mbajnë përgjegjësi të plotë për monitorimin mjedisor, rehabilitimin e zonës pas mbylljes dhe sigurimin financiar për kostot e rehabilitimit. Në fund të afatit të funksionimit, operatori do të jetë i detyruar të stabilizojë territorin dhe ta rikthejë zonën në gjendje të sigurt mjedisore.
Sipas relacionit shpjegues, projektvendimi synon të krijojë një sistem të unifikuar dhe të kontrolluar për menaxhimin e mbetjeve inerte në nivel kombëtar, duke reduktuar depozitimet e paligjshme dhe duke rritur transparencën e gjurmueshmërisë së mbetjeve nga sektori i ndërtimit. /ekofin.al
