Administrata Tatimore ka nisur zbatimin e ligjit nr. 86/2025 për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore, duke paralajmëruar publikimin brenda 20 ditëve të listës së plotë të subjekteve që përfitojnë nga falja fiskale dhe të atyre që përjashtohen nga skema.
Sipas njoftimit zyrtar, lista do t’u komunikohet tatimpaguesve në mënyrë elektronike përmes sistemit “e-Filing”, ndërsa më pas administrata do të vijojë me kompensimin automatik të tepricave kreditore të TVSH-së apo tatimeve të tjera me detyrimet ekzistuese të subjekteve.
Ligji parashikon një paketë të gjerë lehtësish për bizneset dhe individët me detyrime të prapambetura ndaj administratës tatimore dhe doganore, duke ndarë trajtimin sipas periudhës së krijimit të borxhit.
Për detyrimet tatimore të krijuara deri më 31 dhjetor 2014, fshihet plotësisht çdo detyrim i papaguar, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk falet detyrimi principal.
Ndërkohë, për detyrimet e periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, ligji krijon dy skema lehtësuese. Në rast se subjekti paguan 50% të principalit brenda periudhës 10-30 qershor 2026, pjesa tjetër prej 50% shuhet. Në alternativën e dytë, nëse paguhet 75% e principalit deri më 31 dhjetor 2026, atëherë falet 25% e mbetur. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen tërësisht.
Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2020-2024 nuk parashikohet falje e principalit, por do të fshihen të gjitha gjobat dhe interesat nëse tatimi paguhet i plotë deri në fund të vitit 2026.
Ligji përfshin edhe një seri përfitimesh shtesë. Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31 dhjetor 2024, me përjashtim të kontributeve shoqërore e shëndetësore. Po ashtu, falen gjobat për deklarimet e vonuara apo të padorëzuara, nëse deklaratat plotësohen deri më 30 qershor 2026.
Në skemë përfshihen edhe falja e gjobave për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare, interesat dhe penalitetet që lidhen me ndryshime të listëpagesave si rezultat i akteve me efekt prapaveprues apo vendimeve gjyqësore, si edhe gjobat administrative të krijuara deri në fund të vitit 2024.
Megjithatë, ligji përjashton nga përfitimi subjektet e dënuara me vendim të formës së prerë për vepra penale tatimore apo doganore, subjektet në hetim ose proces gjyqësor për këto vepra, si dhe rastet kur ekziston një vendim përfundimtar në favor të administratës tatimore ose doganore.
Ndërkohë, subjektet që kanë çështje në proces ankimi administrativ apo gjyqësor, mund të përfitojnë nga falja vetëm nëse heqin dorë zyrtarisht nga ankimi, padia apo rekursi. Kërkesa duhet të depozitohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse duke nisur nga 10 qershori 2026 dhe jo më vonë se 30 nëntori 2026.
Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre në sistemin “e-Filing” dhe të respektojnë afatet përkatëse për të përfituar nga lehtësitë e reja fiskale. /ekofin.al
