Fondet e disbursuara nga Bashkimi Europian për biznesin shqiptar shkojnë për administratën. Ky është qëndrimi që grupet e interest kanë shprehur pas akordimit të mbështetjes së rradhës nga BE, 49 milionë euro, në kuadër të Planit të Rritjes.
ProExport Albania ka ngritur shqetësimin se fondet e fundit të disbursuara nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë rrezikojnë të përmirësojnë kryesisht administratën publike, ndërsa biznesi privat mbetet pa mbështetje direkte në një nga fazat më të vështira të përafrimit me standardet europiane.
Në një reagim publik, Florian Zekja, nga ProExport Albania analizon fondin prej 49 milionë eurosh të akorduar nga BE, ku sipas tyre mbi 30 milionë euro pritet të përdoren për “përmirësimin e klimës së biznesit”. Por, sipas Pro Export Albania, mënyra se si zakonisht shpërndahen këto fonde ngre pikëpyetje të forta mbi ndikimin real që ato do të kenë tek sipërmarrja shqiptare.
Në praktikë fondet orientohen kryesisht drejt dixhitalizimit të shërbimeve publike, reformave ligjore, sistemeve IT për administratën, trajnimeve, konsulencës ndërkombëtare dhe asistencës teknike. Një pjesë tjetër përdoret për projekte inovacioni, laboratorë certifikimi dhe standarde cilësie, të lidhura me procesin e integrimit europian.
Megjithatë, Zekja shprehet se problemi kryesor qëndron tek fakti se biznesi privat nuk përfiton mbështetje direkte financiare për kostot reale të transformimit që kërkon integrimi në tregun europian.
Sipas deklaratës, ndërmarrjet shqiptare do të duhet të përballojnë vetë kostot e përafrimit me standardet e BE-së, duke investuar në certifikime, teknologji, sisteme sigurie ushqimore, standarde prodhimi dhe procedura të reja administrative, në një kohë kur presioni për implementimin e këtyre standardeve po bëhet gjithnjë e më i fortë.
Kjo situatë bëhet edhe më problematike për faktin se shumica e bizneseve shqiptare nuk janë ende të përgatitura për hyrjen në tregun europian. Duke iu referuar studimeve të ndryshme të organizatave të biznesit, Pro Export Albania thekson se rreth 85% e sipërmarrjeve në vend nuk janë aktualisht gati për standardet dhe konkurrencën e tregut të përbashkët europian.
Integrimi europian nuk mund të ndërtohet vetëm mbi reforma institucionale dhe modernizim të administratës, ndërkohë që ekonomia reale mbetet e pambështetur.
“Nuk duhet të krijohet ideja se Shqipëria mund të integrohet në tregun e madh europian vetëm me administratën, ndërkohë që biznesi mbetet i pambështetur dhe i papërgatitur”, thuhet në deklaratë.
Eksportuesit paralajmërojnë se pasojat e një procesi integrimi pa mbështetje reale për sipërmarrjen mund të jenë të rënda për ekonominë shqiptare. Sipas tyre, bizneset e vogla dhe të mesme rrezikojnë të përballen me kosto që nuk mund t’i përballojnë, duke sjellë mbyllje aktivitetesh, rritje të papunësisë dhe ulje të konkurrueshmërisë.
Në sfond mbetet edhe realiteti ekonomik i viteve të fundit. Bizneset shqiptare po përballen me rritje të kostove të energjisë, pagave, transportit dhe lëndëve të para, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni kanë shtuar presionin mbi sipërmarrjen. Në këto kushte, kërkesat për standarde më të larta europiane pa një mbështetje të drejtpërdrejtë financiare mund të rëndojnë edhe më tej sektorin privat.
Kjo vjen në një moment kur Shqipëria po përshpejton procesin e negociatave me BE-në dhe po intensifikon reformat për harmonizimin e legjislacionit. Por përfaqësuesit e biznesit argumentojnë se integrimi nuk mund të mbetet vetëm një proces administrativ apo politik.
Sipas tyre, integrimi europian kërkon paralelisht edhe ndërtimin e një ekonomie konkurruese, prodhuese dhe të aftë për të mbijetuar në tregun europian. Në të kundërt, rreziku është që bizneset shqiptare të përballen me standarde që nuk arrijnë t’i financojnë dot, duke krijuar një goditje të fortë sociale dhe ekonomike në vitet e ardhshme. /ekofin.al

