Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar zgjerimin edhe gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026, me rritje të primeve, dëmeve të paguara dhe numrit të kontratave, ndërsa segmenti i sigurimeve vullnetare po fiton gradualisht më shumë peshë në zhvillimin e tregut.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, gjatë periudhës janar-prill 2026, primet e shkruara bruto arritën në rreth 8.31 miliardë lekë, me një rritje prej 8.39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, dëmet e paguara bruto u rritën edhe më shpejt, duke arritur në rreth 3.03 miliardë lekë, ose 13.35% më shumë se një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se zgjerimi i tregut nuk lidhet vetëm me rritjen e vlerës së primeve, por edhe me shtimin e aktivitetit. Numri i kontratave të lidhura u rrit me 4.89%, ndërsa numri i dëmeve të paguara u zgjerua me 5.31%.
Një tjetër tregues që reflekton rritjen e kostove në treg është edhe dëmi mesatar i paguar, i cili u rrit me 10.11% në bazë vjetore. Në të njëjtën kohë, primi mesatar i nënshkruar në nivel tregu u rrit me 3.33%.
Edhe për vitin 2026, tregu vijon të dominohet nga segmenti Jo-jetë, i cili zë 90.77% të totalit të tregut. Në këtë segment, primet e shkruara bruto arritën në rreth 7.54 miliardë lekë, me rritje 8.79%, ndërsa dëmet e paguara bruto u rritën me 16.60%, duke arritur në rreth 2.80 miliardë lekë.
Pesha kryesore vijon të mbahet nga sigurimet e detyrueshme motorike, të cilat përbëjnë afro 65% të tregut Jo-jetë. Primet e shkruara bruto në këtë kategori arritën në rreth 4.90 miliardë lekë, me rritje 5.43%, ndërsa dëmet e paguara bruto u rritën me 13.61%, në rreth 1.88 miliardë lekë.
Megjithatë, në këtë segment vihet re një ulje e mëtejshme e primit mesatar të produktit dominues MTPL e brendshme, me 2.19%. Sipas AMF-së, kjo lidhet me efektet e zbatimit të faktorëve të riskut dhe historikut të dëmeve, të parashikuara në rregulloren e miratuar në shtator 2024.
Po ashtu, produktet “Kartoni Jeshil” dhe sigurimi kufitar kanë shfaqur rënie, si rezultat i lehtësimit të lëvizjes së automjeteve drejt vendeve anëtare të CEFTA-s.
Një nga zhvillimet më pozitive të tregut gjatë këtij viti mbetet rritja e sigurimeve vullnetare. Primet e shkruara bruto në këtë kategori arritën në rreth 2.64 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 15.66%, ndërsa dëmet e paguara bruto u zgjeruan me 23.19%, duke arritur në rreth 0.93 miliardë lekë.
AMF vlerëson se ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë sigurimi nga zjarri dhe dëmet në pronë, i cili ka kontribuar me rreth 60% në rritjen totale të primeve vullnetare. Po ky portofol ka ndikuar ndjeshëm edhe në rritjen e dëmeve të paguara.
Ndërkohë, segmenti i sigurimeve të Jetës, edhe pse mbetet ende i vogël me vetëm 9.23% të tregut total, ka ruajtur një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 0.77 miliardë lekë, me rritje 5.06%, ndërsa numri i kontratave u zgjerua me 4.81%.
Në këtë segment, dëmet e paguara bruto arritën në rreth 0.14 miliardë lekë, me rritje 4.39%, ndërsa numri i dëmeve të paguara u rrit ndjeshëm me 31.65%, kryesisht i ndikuar nga kontratat “flexi plan”. /ekofin.al
