Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës ka publikuar një udhëzues të thjeshtuar për qytetarët dhe bizneset lidhur me zbatimin e ligjit të faljes dhe lehtësimit të detyrimeve vendore. Udhëzuesi sqaron kategoritë e detyrimeve që përfshihen në falje, procedurat që duhet të ndjekin debitorët, si dhe kushtet për përfitimin nga fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave.
Sipas dokumentit, detyrimet vendore deri më 31 dhjetor 2014 fshihen plotësisht, pa qenë e nevojshme asnjë pagesë nga ana e qytetarëve apo bizneseve debitorë. Po ashtu, nuk kërkohet asnjë veprim administrativ, me kusht që subjektet të mos jenë në proces penal për vepra në fushën tatimore apo doganore, të mos kenë procese ankimi administrative të hapura dhe të mos kenë procese gjyqësore kundër administratës tatimore.
Ndërkohë, për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, ligji parashikon falje të pjesshme të principalit dhe fshirje të plotë të gjobave dhe kamatëvonesave. Tatimpaguesit kanë dy alternativa: të paguajnë 50% të principalit deri më 30 qershor 2026 ose 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026. Pjesa tjetër e principalit falet automatikisht. Në rastet kur kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa për këtë periudhë, ato fshihen automatikisht.
Për detyrimet e periudhës 2020-2024, udhëzuesi sqaron se duhet të paguhet 100% e principalit deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa më pas falen gjobat dhe kamatëvonesat. Edhe për këtë kategori, në rast se kanë mbetur vetëm penalitete, ato fshihen automatikisht.
Drejtoria Vendore e Tatimeve thekson se për detyrimet e viteve 2015-2024, hapi i parë i takon vetë debitorit. Qytetarët dhe bizneset duhet të kryejnë pagesën dhe në përshkrimin e saj të specifikojnë se ajo bëhet në bazë të ligjit të faljes. Më pas, mandati i pagesës mund të dërgohet në adresën elektronike të institucionit për përpunim më të shpejtë administrativ.
Një tjetër element i rëndësishëm në udhëzues është fakti se viti 2025 nuk përfshihet në falje. Për detyrimet e krijuara gjatë vitit aktual dhe në vijim, administrata vendore paralajmëron se do të vijojë zbatimi i masave shtrënguese sipas legjislacionit në fuqi në rast mosshlyerjeje.
Udhëzuesi i plotë
“FALJA DHE LEHTËSIMI I DETYRIMEVE VENDORE
Udhëzues i thjeshtuar për qytetarët dhe bizneset
Në zbatim të Ligjit numër 86/2025 dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave, qytetarët pronarë të njësive tregtare dhe bizneset debitorë mund të përfitojnë nga fshirja ose lehtësimi i detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore.
1. CILAT PERIUDHA PËRFSHIHEN?
Detyrimet deri më 31 Dhjetor 2014
Fshihen plotësisht.
Nuk ka nevojë për asnjë pagesë.
Nuk ka nevojë për asnjë veprim nga ana juaj, me kusht që:
a. të mos keni qenë apo mos jeni në proces penal për vepra penale në fushën tatimore apo doganore;
dhe/ ose
b. të mos keni aktualisht proces ankimo r administrativ për të cilin nuk keni hequr dorë;
dhe/ ose
c. të mos keni patur proces gjyqësor kundër administratës tatimore.
Detyrimet nga 1 Janar 2015 deri më 31 Dhjetor 2019
Për këtë periudhë përfitoni nga falja e pjesshme e principalit dhe falja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, sipas alternativave për pagesa deri më 30 Qershor 2026 apo për pagesa deri më 31 Dhjetor 2026. Nëse kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa për këtë periudhë, ato fshihen automatikisht.
Ju përfitoni nga shuarja e detyrimeve për këtë periudhë, me kusht që:
a. të mos keni qenë apo mos jeni në proces penal për vepra penale në fushën tatimore apo doganore;
dhe/ ose
b. të mos keni aktualisht proces ankimo r administrativ për të cilin nuk keni hequr dorë;
dhe/ ose
c. të mos keni patur proces gjyqësor kundër administratës tatimore.
Detyrimet nga 1 Janar 2020 deri më 31 Dhjetor 2024
Për këtë periudhë kërkohet pagesa e plotë e principalit, ndërsa më pas falen gjobat dhe kamatëvonesat.
Nëse kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa për këtë periudhë, ato fshihen automatikisht.
Ju përfitoni nga shuarja e detyrimeve për këtë periudhë, me kusht që:
a. të mos keni qenë apo mos jeni në proces penal për vepra penale në fushën tatimore apo doganore;
dhe/ ose
b. të mos keni aktualisht proces ankimo r administrativ për të cilin nuk keni hequr dorë;
dhe/ ose
c. të mos keni patur proces gjyqësor kundër administratës tatimore.
1. ÇFARË VEPRIMESH DUHEN NGA TAKSAPAGUESIT KUR DETYRIMET NUK FSHIHEN AUTOMATIKISHT?
Për detyrimet 2015 – 2019
Keni dy alternativa:
Alternativa 1
Paguhen 50% e principalit deri më 30 Qershor 2026.
Pjesa tjetër e principalit falet.
Falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.
Alternativa 2
Paguhen 75% e principalit deri më 31 Dhjetor 2026.
Pjesa tjetër e principalit falet.
Falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.
Për detyrimet 2020 – 2024
Paguhen 100% e principalit deri më 31 Dhjetor 2026.
Pas pagesës falen gjobat dhe kamatëvonesat.
E rëndësishme
Për këto periudha, pra për vitet 2015 deri më 2024, veprimi i parë i takon debitorit.
Si fillim:
Kryeni pagesën.
Në përshkrimin e pagesës specifikoni që pagesa po kryhet në bazë të ligjit të faljes.
Pas këtij momenti mund të drejtoheni pranë nesh për të dërguar mandatin që vërteton kryerjen e pagesës, në funksion të një përpunimi më të shpejtë administrativ.
Pikë kontakti:
Email: [email protected]
Ose pranë sporteleve fizike të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore.
1. KUJDES ME SHUMËN QË PAGUANI
Shuma që paguani për principalin e taksës apo tarifës vendore duhet të jetë e saktë sipas fashës ku përfshihet detyrimi juaj.
50% ose 75% për detyrimet 2015–2019.
100% për detyrimet 2020–2024.
1. NA KONTAKTONI PËR ASISTENCË
Nëse keni paqartësi ose dëshironi konfirmim për shumën që duhet të paguani:
Na shkruani në [email protected]
Ose paraqituni fizikisht pranë sporteleve tona.
1. VITI 2025 NUK PËRFSHIHET NË FALJE
Detyrimet e vitit 2025 dhe 2026 nuk janë pjesë e këtij ligji.
Për detyrimet e vitit 2025 e në vijim, është në proces zbatimi i masave shtrënguese sipas legjislacionit në fuqi në rast mospagese.
Kontrolloni detyrimet përmes platformës “e-Albania” ose kontaktoni Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore për çdo informacion shtesë.”
