Banka e parë plotësisht digjitale në Shqipëri po hyn gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes europiane. Pas vizitës së ambasadorit britanik në Tiranë, Nick Abbott, pranë drejtuesve të Jet Bank, këtë herë ishte vetë CEO e bankës, Fatbardha Rino, e cila zhvilloi një takim me zyrtarë të Komisionit Europian.
Në një postim në rrjetet sociale, Rino bëri të ditur se është takuar me Karolina Kottova, zëvendësshefe e kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fokus të diskutimeve ishte integrimi europian i Shqipërisë, përafrimi rregullator me standardet e BE-së dhe zhvillimi i bankës së parë 100% digjitale në vend. Sipas Rinos, Jet Bank është e angazhuar ndaj standardeve europiane, përfshirë GDPR, sigurinë kibernetike dhe kuadrin modern të përputhshmërisë, ndërsa bankingu digjital mund të forcojë transparencën, konkurrencën dhe besimin e investitorëve në Shqipëri.
Deklarata vjen në një moment kur Jet Bank po shndërrohet në një nga projektet më të diskutuara në sektorin financiar shqiptar. Vetëm pak javë më parë, Ambasada Britanike në Tiranë publikoi një njoftim mbi vizitën e ambasadorit britanik Nick Abbott në ambientet e bankës, duke e cilësuar projektin si një shembull të bashkëpunimit ekonomik mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe të mbështetjes për inovacionin në rajon.
Jet Bank mori licencën nga Banka e Shqipërisë më 25 mars 2026, duke hyrë në historinë e sektorit bankar shqiptar si banka e parë plotësisht digjitale. Aktualisht institucioni ndodhet në fazën e testimit paraprak, ku platforma po përdoret nga një grup i kufizuar përdoruesish për të testuar funksionalitetet dhe përvojën e klientit përpara hapjes së plotë për publikun.
Modeli i Jet Bank mbështetet te teknologjia dhe automatizimi i proceseve, pa degë tradicionale fizike, në një kohë kur edhe sektori bankar europian po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt shërbimeve online dhe bankingut të bazuar në aplikacione.
Megjithatë, hyrja e saj në treg nuk ka kaluar pa debate. Në këtë sfond, takimet në Bruksel dhe mbështetja diplomatike britanike po interpretohen si sinjale se projekti i bankës së parë digjitale në Shqipëri po kërkon të pozicionohet si pjesë e standardeve dhe transformimit europian të sektorit financiar.
