Inflacioni i matur sipas metodologjisë së Eurostat në Shqipëri arriti në 2.8% në muajin prill 2026, duke mbetur nën mesataren e Bashkimit Europian prej 3.2%. Të dhënat e publikuara nga INSTAT për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) tregojnë se presionet më të forta mbi çmimet kanë ardhur nga argëtimi, transporti dhe shërbimet, ndërsa ushqimet vijojnë të japin ndikimin më të madh në inflacionin total.
Sipas raportit, grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” regjistroi rritjen më të lartë vjetore të çmimeve me 6.6%, i ndjekur nga “Transporti” me 4.1%, “Pije alkolike dhe duhan” me 4%, si dhe “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3.6%. Ndërkohë, “Restorante dhe shërbime akomodimi” u rritën me 3%, duke reflektuar edhe presionin që po vjen nga sektori i turizmit dhe konsumit të shërbimeve.
Megjithatë, ndikimin më të madh në inflacionin total vijon ta japë grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, për shkak të peshës së lartë që ka në shportën e konsumit. Ky grup kontribuoi me 0.78 pikë përqindje në inflacionin total, ndërsa transporti dha 0.35 pikë dhe restorantet e akomodimi 0.43 pikë përqindje.
Në krahasim me muajin mars, inflacioni mujor rezultoi 0.3%. Rritja mujore u ndikua kryesisht nga çmimet e “Pijeve alkolike dhe duhanit” me 1.4%, “Kujdesit personal” me 0.7% dhe “Restoranteve dhe shërbimeve akomoduese” me 0.6%. Nga ana tjetër, grupi “Transporti” shënoi ulje mujore me 0.4%, çka lidhet edhe me luhatjet e fundit të çmimeve të karburanteve në tregun vendas dhe ndërkombëtar.
IHÇK është treguesi që përdoret nga Eurostat për të krahasuar inflacionin mes vendeve europiane dhe përfaqëson standardin zyrtar të inflacionit të Bankës Qendrore Europiane. Ndryshe nga IÇK, ai përfshin jo vetëm shpenzimet e familjeve shqiptare, por edhe ato të turistëve dhe konsumatorëve të huaj brenda territorit të Shqipërisë.

