Nga Mirilda Tili
Konflikti mes SHBA dhe Iranit ka shtuar pasiguritë globale, ndërsa ka ngritur edhe pikëpyetje për ndikimin që mund të ketë në ekonomi të vogla si Shqipëria. Avokati dhe konsulenti financiar, Egli Haxhiraj dhe Joleza Koka, themeluese e platformës “JZK Collective” me bazë në Dubai, paralajmërojnë për ekofin.al se Shqipëria nuk është vërtet në vijën e parë të luftës, por mund të ndjejë fort pasojat ekonomike përmes investimeve, energjisë, tregut të pasurive të paluajtshme dhe sektorit financiar. Sipas tyre, ka një frenim të investimeve në Dubai, për shkak të afërsisë së atij që cilësohet si qyteti oaz i pasanikëve me zonën e konfliktit.
“Shqipëria nuk ndodhet në hartën e konfliktit, por ndodhet në hartën e pasojave. Efektet nuk vijnë me avion luftarak. Vijnë me faturën e naftës, me heshtjen e investitorit dhe me ngurrimin e turistit”, shprehet Haxhiraj.
Sipas tij, destabilizimi në Lindjen e Mesme krijon menjëherë efekt psikologjik tek kapitali ndërkombëtar, sidomos tek investitorët europianë dhe ata të Gjirit, të cilët në situata pasigurie “shtypin pauzën” për projektet e reja.
“Para se të lëvizë një euro, lëviz psikologjia e investitorit. Në paqartësi, kapitali ndalon. Kjo nuk është frikë, është racionalitet”, thekson ai.
Një shqetësim i madh, sipas Haxhirajt, lidhet edhe me investimet nga vendet e Gjirit në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Ai vëren se këto investime kanë hyrë kryesisht në formën e projekteve turistike luksoze, rezidencave elitare dhe fondeve private të strukturuara përmes kompanive holding.
“Investitori i Gjirit nuk largohet nga paniku, largohet nga prioritetet e rishikuara. Kur rajoni i tij është në tension, kapitali tërhiqet për të mbrojtur asetet ekzistuese”, deklaron eksperti.
Ai paralajmëron se tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme mbetet i ekspozuar për shkak të mungesës së transparencës në shumë transaksione.
“Kur kapitali hyn, çmimet ngrihen dhe ekonomia lokale ndihet mirë. Kur kapitali del, projektet braktisen dhe kontraktorët mbeten pa pagesa. Ky është skenari për të cilin Shqipëria nuk është e përgatitur”, shton Haxhiraj.
Nga ana tjetër, Koka vlerëson se ndikimi në Shqipëri do të varet nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit.
“Shqipëria nuk preket drejtpërdrejt nga konflikti, por ndikohet indirekt si ekonomi importuese energjie, përmes rritjes së çmimeve të naftës, kostove të transportit, inflacionit dhe kostove të biznesit”, thotë ajo.
Koka nënvizon se investitorët nga vendet e Gjirit nuk po largohen nga tregjet në zhvillim, por po bëhen më selektivë dhe më kërkues për sigurinë juridike dhe stabilitetin institucional.
“Nëse një treg nuk arrin nivelin e transparencës së Dubait, duhet ta kompensojë këtë me kthime më të larta investimi”, deklaron ajo, duke shtuar se Shqipëria mbetet një treg interesant për investitorët që hyjnë herët.
Sipas Kokës, besimi dhe marrëdhëniet njerëzore vazhdojnë të jenë elementë kyç në kulturën e investimeve të vendeve të Gjirit.
“Në kulturën e investimeve të vendeve të Gjirit, besimi dhe marrëdhëniet njerëzore shpesh peshojnë më shumë sesa vetë tabelat financiare”, shprehet ajo.
Të dy bien dakord se sektorët më të ndjeshëm mbeten energjia dhe transporti, ndërsa pasojat mund të shtrihen më tej tek ndërtimi, turizmi dhe sistemi bankar.
Haxhiraj paralajmëron se sektori bankar shqiptar, edhe pse nuk ka lidhje direkte me bankat e Lindjes së Mesme, është i ekspozuar përmes kostove të financimit ndërkombëtar dhe flukseve të kapitalit. “Sektori bankar shqiptar është indirekt, por realisht i ekspozuar ndaj tensioneve të Lindjes së Mesme”, thotë ai.
Ndërkohë, Koka thekson se për të tërhequr investime serioze afatgjata, Shqipëria duhet të ndërtojë reputacion përmes standardeve, cilësisë dhe formalizimit.
“Shqipëria ende nuk ka një bursë funksionale, nuk ka kompani të listuara dhe ka ndryshime të shpeshta të mënyrës së taksimit. Këto krijojnë perceptim të mungesës së formalizimit për investitorët seriozë”, argumenton ajo.
Sipas saj, brandimi ndërkombëtar dhe cilësia e arkitekturës po bëhen faktorë vendimtarë në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe hotelerisë. “Një projekt me branding të qartë dhe standard të lartë arkitektonik krijon më shumë besim, diferencim dhe vlerë në treg”, shprehet Koka.
Në përfundim, Haxhiraj propozon atë që ai e quan “Strategjia e Dy Bordeve”: një plan mbrojtës për minimizimin e dëmeve dhe një plan ofensiv për të përfituar nga zhvendosja e kapitalit drejt vendeve më të sigurta.
“Historia ekonomike tregon një rregull të pandryshuar: vendet që reagojnë para krizës ndërtojnë avantazh; ato që reagojnë gjatë krizës mbijetojnë; ato që reagojnë pas krizës paguajnë çmimin e të tjerëve”, përfundon ai. /ekofin.al


