Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Financat dhe Punësimin ka vendosur të rihapë procedurën për plotësimin e vendit vakant në Këshillin Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë, pasi një prej vendeve vijon të mbetet i paplotësuar disa muaj pas përfundimit të mandateve të anëtarëve ekzistues.
Vendimi u miratua në mbledhjen e së hënës së komisionit, ku u argumentua se procedura po rihapet në zbatim të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” dhe rregullores së Kuvendit. Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, deklaroi se synimi është të hapet gara për aplikime të reja për pozicionin vakant të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Vakanca mbeti e hapur pasi në muajin shkurt Kuvendi nuk arriti të miratojë kandidaturën e Matilda Shehut, e propozuar nga deputetë të mazhorancës. Pas moskalimit në seancë plenare, kandidatura e saj u tërhoq përfundimisht.
Procesi i rinovimit të Këshillit Mbikëqyrës nisi në fillim të këtij viti, pas përfundimit të mandateve të gjashtë anëtarëve në fund të vitit 2025. Në muajin shkurt, Kuvendi miratoi katër emra të rinj për organin drejtues të bankës qendrore. Selami Xhepa dhe Holta Zaçaj u propozuan nga Kuvendi, ndërsa Ervin Mete dhe Jonida Prifti nga Këshilli i Ministrave.
Më pas, në muajin mars, Kuvendi votoi edhe për vakancën e pestë, duke miratuar kandidaten Olta Rushaj, e propozuar gjithashtu nga qeveria.
Ndryshimet në përbërjen e Këshillit Mbikëqyrës erdhën pas përfundimit të mandateve të emrave të njohur të institucionit, përfshirë zëvendësguvernatoren e parë Luljeta Minxhozi, si dhe anëtarët Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka.
