Rriten sërish çmimet e karburanteve në vend. Vetëm një ditë pasi Bordi i Transparencës uli me 3 lekë/litër çmimin e naftës, në mbledhjen e kësaj të premteje ai vendosi një rritje me 4 lekë/litër për gazoilin në tregun me pakicë.
Sipas vendimit të ri, nafta do të tregtohet maksimalisht me 202 lekë/litër nga 198 lekë/litër që ishte përcaktuar më parë, ndërsa benzina do të shitet me 188 lekë/litër. Në tregun me shumicë, çmimi tavan i gazoilit u caktua 190 lekë/litër dhe i benzinës 176 lekë/litër.
Bordi bëri të ditur se çmimet hynë në fuqi më 16 maj, ora 13:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimin e ardhshëm. Autoritetet paralajmëruan operatorët për zbatim të detyrueshëm të çmimeve, ndërsa në rast shkeljesh parashikohet pezullim aktiviteti.
Në sqarimin bashkëngjitur vendimit, Bordi thekson se çmimet aktuale mbeten nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon uljen e akcizës në 80% vetëm në rast se nafta kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër. Për pasojë, akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë 100%.
